19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

E-albania bëhet me asistent virtual

Portali E-albania do t’i nënshtrohet vitet në vijim një procesi rrënjësor modernizimi, i cili do të finalizohet me një asistent virtual i cili do t’u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve me tekst dhe me zë. Scan Televizion ka zbardhur planet e Qeverisë, të cilat synojnë përmirësimin e portalit e-Albania për të qenë në përputhje me udhëzimet për aksesueshmërinë e përmbajtjes së uebit (WCAG 2.1).

Ndërhyrjet për të rritur aksesueshmërinë konsistojnë në krijimin brenda vitit 2025 të Qendrës së re të kontaktit Omnichannel, e bazuar në përvojën globale më të fundit, duke përshtatur një qasje të përqendruar te përdoruesi në ofrimin e asistencës për përdoruesit e shërbimit, duke ofruar kanale të ndryshme komunikimi, si portalin e-Albania, asistent virtual, thirrje zanore dhe asistencë direkte (nëpërmjet InfoPoints në Qendrat Shumëfunksionale të Inovacionit Rinor).

Hapi tjetër është Asistenti Virtual Shqiptar (AVA). Afati për krijimin e tij dhe kur do të bëhet tërësisht funksional është viti 2027. Asistenti do të jetë tërësisht i automatizuar në tekst dhe zë. Do të jetë në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve të përdoruesve, duke shërbyer si asistencë helpdesk e Qendrës së Kontaktit të OmniChannel.

Një prej detyrave kryesore të Asistentit Virtual Shqiptar do të jetë përmirësimi i aksesit në shërbimet digjitale nga grupet e përzgjedhura të synuara – (së pari) popullsia në përgjithësi; (së dyti) grupet në nevojë (që përfshin një pjesë të madhe të popullsisë rome); (së treti) të moshuarit (mbi moshën 65 vjeç); (së katërti) personat me aftësi të kufizuara; (së pesti) përdoruesit e huaj; (së gjashti) personat pa aftësi digjitale ose pa akses në pajisje digjitale.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *