21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ed Konstruksion dhe 4 A-M fitojnë tenderin 17 mln euro për burgun e fëmijëve

Ministria e Drejtësisë ka shpallur fitues të tenderit 17 milionë euro për ndërtimin e Institucionit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve bashkimin e kompanive 4 A-M dhe Ed Konstruksion. Institucioni që do të ndërtohet në Mëzes kishte një fond limit të paracaktuar prej 1.923 miliardë lekë dhe në tender u paraqitën 4 oferta.

Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, oferta më e ulët është paraqitur nga bashkimi i shoqërive të shpallura fituese. Ed Konstruksion dhe 4 A-M kanë ofruar ta ndërtojnë burgun e të miturve për një çmim prej 1.751 miliardë lekë ose rreth 16.8 milionë euro.

Institucioni i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve është konceptuar si një mekanizëm pranë të cilit do të zbatohen programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për të miturit që janë dënuar nga gjykata me dënimin e kufizimit të lirisë.

Në vitin 2019, qeveria miratoi vendimin “Për përcaktimin e rregullimeve të veçanta lidhur me funksionimin e mjediseve, të nivelit të sigurisë së tyre dhe standardet e programeve të edukimit e të rehabilitimit, në rastet e kufizimit të lirisë së të miturve”.

Sipas vendimit, institucioni i Kufizimit të Lirisë vlerësohet se do të funksionojë si një institucion gjysëm i hapur, ku të miturve do t’iu kufizohet liria e veprimit/lëvizjes në atë masë që parandalohet kryerja e veprave penale prej tyre dhe veçanërisht synohet riintegrimi dhe rishoqërizimi i të miturit në komunitet.

E gjithë procedura që do të ndiqet nga punonjësit e institucionit në kuadër të rishoqërizimit të të miturit do të bazohet në një program edukues/rehabilitues të përgjithshëm të hartuar nga vetë institucioni dhe një program individual trajtimi që do të bazohet në vlerësimin e nevojave specifike të çdo të mituri si dhe te metodat e ndërhyrjes. Për këtë institucion është planifikuar një kapacitet fillestar prej 34 punonjësish që do të trajtojnë të miturit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *