14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Edhe njëherë përmbledhtas për çështjen e djegësave

Ylli Manjani

Nga sa kam parë, lexuar e dëgjuar për këtë çështje me rezulton se, nëse nuk do kishte sherr ndërmjet Ben Ahmetajt dhe Mirel Mertirit, si dhe nëse Lefteri do i kishte dhënë kontratën e koncensionit të Fierit firmës së “duhur” (një konsorciumi politiko ekonomik,që u sajua vetëm për atë projekt), nuk do kishte as arrestime e as hetime.
Do ishin të gjithë të lumtur. Kishte për të gjithë dhe sdo bëhej as debat politik.

Ja kaq e thjeshtë është origjina e kësaj zhurme që tani ka marrë pamjen e shpërthimeve të kontrolluara nga regjia e pushtetit.

Në fakt kështu ndodh gjithmonë, bërtasin fort ata që humbin tenderët. Ata kërkojnë dhe lobojnë për hetime. Edhe për inceneratorët kështu ndodhi. Askush të mos krenohet se “e kemi denoncuar ne”. As ka pyetur njeri fare për denoncimet. Humbësit lobuan fort dhe jo pa sukses, për helmin e tyre.

Janë humbësit e tenderit ata që e bënë gurgulenë. Padyshim,miqsia e prishur e dy miqve të vjetër hodhi në qarkullim disa të vërteta të vogla.

Them të vogla se e vërteta e madhe është ende e fshehur mirë. SPAK qartësisht nuk lodhet të shkojë aty. Ka bileta avionesh plot për t’u marrë. Mirëpo si mendoni ju, një aferë prej të paktën 300 milionë euros (shifër që del nga shumatorja e gjetjeve të SPAK. Askush nuk e di sa është shuma tamam.!!) korrupsioni është me bileta avioni?! Seriozisht e keni?!

Edhe sikur ti marrim të vërteta që 2 vilat e familjeve të Benit të jenë “plaçkë” e inceneratorëve, prap janë shumë shumë pak në 300 milionët. Mungojnë shumë miliona të tjera.
Tani, o ka realisht marrëveshje korruptive dhe SPAK duhet të na thotë si u ndanë 300 milionët, ose me bileta avionësh e dhoma hotelesh mos na lodhë. Si kafet e Nexhmijes.
Ka apo jo korrupsion?! Kjo është pyetja.

Ndërkohë, publiku ende nuk di:
1. Përse u vendos për incenerim?

2. Përse 3 inceneratorë kur dukshëm nuk ka mbetje as edhe për 1?

3. Përse u imponua emergjenca mjedisore dhe si ka mundësi që 3 zvministra urdhëruan gjithë qeverinë?

4. Ç’janë këto koncensione kur paguan buxheti i shtetit?! Koncensionet jepen sepse shteti nuk paguan.

5. Ku u gjetën lekët për 3 kontrata kur buxheti nuk kishte?

6. Pse u miratuan kontrata diskriminuese për shtetin dhe pa leverdishshmëri? Leverdishmëria është kriteri i parë themelor i koncensionit.

7. Ç’janë këto hetime veç e veç bazuar në denoncime politike apo kallëzime popullore?! Ka apo nuk ka grup kriminal të strukturuar që të ketë kuptim puna e SPAK?

Ja përse unë jam kritik ndaj SPAK për këtë çështje. I kam thënë këto gjëra, në fakt, që në krye të herës. Vetëm arreste për show dhe arreste për arratisje kemi parë deri tani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *