1 Dhjetor, 2023
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Ekonomia e oligarkëve

Ekonomia e oligarkëve  

Ekonomia shqiptare po merr gjithmonë e më shumë fytyrën e një çifligu bejlerësh. Të paktën, kjo është ajo që në tregojnë shifrat zyrtare.

Në tre mujorin e parë të vitit, Prodhimi i Brendshëm Bruto sipas INSTAT u rrit me 2.7 për qind. Por 60 për qind e kësaj rritje erdhi vetëm nga tre sektorë. Ata janë ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe aktivetetet argëtuese.

Dy sektorët e parë janë domain thuajse ekskluziv i të ashtuquajturve oligarkë. Ata që marrin lejet e ndërtimit dhe hedhin beton pafundësisht në zonat më të lakmuara të vendit. Sektori i tretë është një çiflig që ndahet mes oligarkëve dhe krimit. Sipas INSTAT, rritja më e madhe brenda grupit të aktiviteteve argëtuese erdhi nga industria e bixhozit, e cila ushtron aktivitet në hotelet e oligarkëve dhe ndan fitime mes tyre dhe personave me background problematik. Gjithë të tjerët ngrohen në diell.

Nëse ky do të ishte fenomen i izoluar i një tre mujori sigurisht që shqetësimi do të ishte i ekzagjeruar. Por tashmë kjo është një tendencë. Në mënyrë të vazhdueshme, rritja ekonomike e vendit gjatë viteve të fundit është gjeneruar kryesisht nga ndërtimi dhe aktivitetet e lidhura me të. Me pak fjalë, të ashtuquajturit sektorë crony.

Në sektorët e tjerë, ata që gjenerojnë rritje ekonomike dhe përfitime për shumicën, në rastin më të mirë shifrat tregojnë stanjacion. Shembulli tipik është bujqësia, e cila noton në një krizë të gjatë disavjeçare. Pavarësisht akademive të Fridës, lopët pakësohen. Pavarësisht propagandës së subvencioneve, shpendët ngordhin, ndërsa bagëtitë theren. Ndërsa agroindustria thuajse nuk ekziston fare.

Përballë këtij centralizimi të ekonomisë në duart e oligarkisë, sektori i vetëm që mund të shëprndajë përfitime ekonomike mbetet turizmi. Por kjo është shumë pak. Me pak fjalë, kjo është një ekonomi që rritet nga investimet e oligarkëve, zgjeron bizneset e tyre dhe gjeneron fitime për ta.

Por ky ishte një rezultat i pritshëm. Në fund, politikat klienteliste dhe favoret publike prodhojnë gjithmonë këtë. Problemi është se kjo është një rritje problematike. Mbi të gjitha në dy drejtime. Së pari, prodhon pabarazi gjithmonë në rritje, pasi përfitimet shkojnë tek një grusht njerëzish. Dhe së dyti, është rritje e paqëndrueshme.

Investimet në sektorin imobiliar rrisin kërkesën agregate në afatshkurtër. Por ato nuk garantojnë rritje të qëndrueshme ekonomike sepse apartamentet dhe vilat nuk prodhojnë aktivitet ekonomik.

Ky model zhvillimi ezaurohet shumë shpejt. Sa më shumë rritja ekonomike do të vijë nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme aq më e vështirë do të jetë për ekoniominë që të gjenerojë rritje ekonomike në të ardhmen. Me shume gjasë orientimi i investimeve në sektorin rezidencial e ka dëmtuar sakaq prodhimin potencial dhe aftësinë e saj për t’u rritur. Pra tashmë Shqipëria ka një ekonomi që rritet nga Samiri, Çeti, Dulaku dhe soji i tyre. Deri ditën që fluska do të shpërthejë. Pastaj të dëmtuarit do të jenë gjithë të tjerët. Këta sipër vetëm fitojnë.

 

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *