15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Epidemia e centraleve diellore/ 10 kërkesa që nga nisja e vitit

Viti 2024 ka nisur me një interes të lartë nga investitorët për centrale të mëdhenj fotovoltaikë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në muajin janar u dorëzuan 6 aplikime, ndërkohë që deri në mes të shkurtit kanë mbërritur 4 aplikime të tjerë.

Referuar interesit të shprehur pranë këtij dikasteri, fuqia totale e instaluar e projekteve të paraqitur në muajin janar arrin në 213.2 MW, ndërkohë që për muajin shkurt, 170.2 MW. Aplikimi i paraqitur nga kompania “SUNNY SIDE ENERGY” paraqet dhe kapacitetin më të lartë, me një impiant 100 MW që parashikohet të pozicionohet në Darëzezë të Fierit.

Sa i takon vendndodhjes ku kërkohen të ndërtohen këto impiante energjetike, 2 prej tyre ndodhen në territorin e Bashkisë Fier, 4 në Kolonjë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Cerrik dhe 1 në Peqin.

Në rast të finalizimit të procedurave, këto projekte nuk do të jenë përfituese të masave mbështetëse të qeverisë, që përfshijnë lehtësim në sigurimin e dokumentacionit apo blerje të garantuar të energjisë së prodhuar.

Interesi për investime në energji diellore ka disa vite që ka ardhur në rritje nga ana e investitorëve privatë, ndërkohë që një pjesë e kërkesave janë pranuar, ndërsa të tjera jo. Aktualisht, energjia diellore nga impiantet e mëdhenj është pak e shfrytëzuar në vendin tonë, teksa kapaciteti total i instaluar është vetëm 40 MW.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *