21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Euro drejt 100 lekëve, gremina e monedhës europiane nuk ndalet

Monedha europiane vazhdon të humbasë kuotë në mënyrë të qëndrueshme ndaj lekut, ndërsa këtë të enjte 1 euro u këmbye me 101.92 lekë. Në dy javët e fundit euro është zhvlerësuar me më shumë se 2 lekë dhe tendenca e zhvlerësimit duket e qëndrueshme.

Ecuria e kursit të këmbimit mes euros dhe lekut tashmë duket një fenomen strukturor, që nuk ka lidhje me spekullimet. Agjencitë e këmbimit valutor thotë se tregu ka ofertë të madhe të valutës europiane, ndërkohë që kërkersa e ekonomisë për euro është më e ulët.

Sezoni i mirë turistik është një nga arsyet që ka rritur ndjeshëm prurjet në valutë. Por ekspertët thonë se Shqipëria se euro e hyrë në rrugë të ligjshme nuk është arsyeja e vetme që ka përmbytur tregun. Sipas tyre, një pjesë e valutës në treg vjen nga burimet informale, veçanërisht aktivitetet e jashtëligjshme si trafiqet.

Shumë prej tyre mendojne se kjo do të jetë një tendencë e qëndrueshme. Euro do të vazhdojë të dobësohet gradualisht ndaj lekut edhe për të ardhmen në vijim, teksa flukset e larta hyrëse të monedhës europiane kanë krijuar një realitet të ri në tregun valutor.

Ndërkaq, në anën tjetër tregu përballet me një ofertë më të shtrënguar të lekut. Vetë qeveria këtë vit ka mbajtur në mënyrë konstante sasi të mëdha leku të fjetura në arkën e shtetit. Sufiçiti buxhetor për 10 mujorin është rreth 50 miliardë lekë, në një kohë që për periudhën nëntor-dhjetor qeveria duhet të ekzekutojë plotësisht këtë sufiçit si dhe 30 miliardë lekë të defiçitit të parashikuar për vitin.

Megjithatë edhe ekzekutimi i bilancit buxhetor përmes shpenzimeve më agresive të qeverisë zor se do të ndryshojë prirjen e kursit të këmbimit, e cila duket e qëndrueshme dhe vetëm në një drejtim. Euro që vetëm përulet ndaj lekut, tashmë duke parë në horizont kursin 1 me 100.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *