12 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Europetrol fiton tenderin e karburantit për testimin e tigrave të Vlorës

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka përzgjedhur kompaninë Europetrol si fituese në tenderin për blerjen e naftës që do të përdoret për testimin e dy termocentraleve lundruese të Vlorës. “Ju njoftojmë se në kuadër të mbylljes së procedurës së prokurimit me objekt “Furnizimi në vend me lëndë djegëse i Termocentraleve Lundruese, Tripot, Vlorë” është shpallur fitues : Europetrol Durrës Albania sh.a.” njoftoi KESH në faqen e saj zyrtare.

Por Korporata nuk e ka bërë publike ofertën e kompanisë Europetrol dhe as ccmimin me të cilin do të blihet karburanti. Proccedura tenderuese për blerjen e karburantit për anijet gjeneratorë të Vlorës u shpall në fillim të muajit të kaluar. Sipas ftesës, sasia e synuar për t’u blerë nga KESH ishte 4 mijë tonë karburant i llojit HFO, me përmbajtje squfuri jo më të madhe se 0.5 për qind.

Më herët, KESH ka bërë të ditur se menjehërë pas blerjes së karburantit do të nisë testimi i TEC-eve lundruese, ndërkohë që në fund të marsit është parashikuar dhe testi i besueshmërisë prej 72 orëve ku të gjithë agregatët së bashku do të punojnë pa ndërprerje.

Dy anijet termocentral të Vlorës u kontraktuan nga qeveria shqiptare përmes një procedure emergjente duke shfrytëzuar gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur me nisjen e krizës energjetike 2 vite më parë. Deri më tani Tigri 1 dhe Tigri 3 nuk janë vënë asnjë sekondë në punë, por sipas kontratës së nënshkruar nga qeveria ato do të prodhojnë energji për dy vjet me radhe kundrejt një qiraje që bashkë me mirëmbajtjen shkon rreth 95 mijë euro në ditë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *