6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Faturat e lobimit/ Qeveria paguan 360 mijë euro për konsulentët e Ulsiut

Qeveria shqiptare ka shtuar 360 mijë euro fonde për buxhetin e ministrisë së Drejtësisë me qëllim që të paguhen dy kompanitë, që këshillojnë Ulsi Manjan dhe qeverinë shqiptare se si të luftojë korrupsionin. Përmes një vendimi të posaçëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar kalimin e fondeve.

“Në buxhetin e vitit 2024, miratuar për Ministrinë e Drejtësisë, shtohet fondi prej 36 milionë lekësh, prej të cilave 30 milionë lekë për pagimin e tarifës për konsulencën e ofruar nga subjekti ndërkombëtar “Boston Consulting Group(BCG)” për ofrimin e shërbimit të konsulencës për identifikimin e mekanizmave eficientë për të nxitur më tej luftën kundër korrupsionit dhe mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) për këtë qëllim, si dhe 6 milionë) lekë për pagimin e këstit të parë të tarifës për konsulencën e ofruar nga subjekti ndërkombëtar “G37 Chambers”, për ofrimin e shërbimit të konsulencës për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave, që duhet të mblidhen nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim vlerësimin e fushave të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit dhe për hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të këtyre rekomandimeve,” thuhet në vendimin e qeverisë të miratuar në datën 2 tetor.

Maxhoranca shkallmoi Ligjin e Prokurimeve për t’i hapur rrugë kontratave miliona euro të lobimit

Në ditët e fundit të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave depozitoi një draft në Parlament për të ndryshuar Ligjin e Prokurimeve. Projektligji, i cili përmbante 50 nene ndryshonte ndjeshëm ligjin ekzistues të Prokurimeve. Por mes ndryshimeve të propozuara u fut edhe një nen hileqar.

Ky ishte neni 48, i propozuar në draft si dispozitë kalimtare. Në pikën 2 të këtij neni thuhet shprehimisht: “Brenda një periudhë 3-vjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli i Ministrave mund të autorizojë institucionet e administratës shtetërore/publike në nivel qendror të negociojnë dhe të lidhin marrëveshje konsulence ndërkombëtare brenda fushës së kompetencës së tyre në fusha me interes strategjik, në drejtim të aplikimit të inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike, infrastrukturës kritike dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

Neni qe i dha te drejte qeverise te prokuroje konsulence nderkombetare me negocim te drejteperdrejte

Propozimi si dispozitë kalimtare nuk është i rastësishëm. Ky nen është në kundërshtim flagrant me direktivën e Bashkimit Europian për Prokurimet Publike. Duke qenë e vetëdijshme për këtë, qeveria e ka propozuar si masë kalimtare. Aq sa i duhej për të arritur qëllimin dhe nëse zyra e BE-së do të ngrejë zërin, atëherë ajo do të justifikohet me masën kalimtare.

Lum milionash me prokurim të drejtëpërdrejtë
Ligji u miratua në shkurt të këtij viti. Menjëherë pas hyrjes së tij në fuqi, qeveria filloi biznesin e prokurimeve direkte të kontratave të konsulencës. Në 3 mbledhjet e fundit Këshilli i Ministrave ka miratuar 3 vendime, ku autorizon institucione publike të lidhin kontrata konsulence me negocim të drejtëpërdrejtë në vlera të majme.

Dy prej këtyre autorizimeve i janë dhënë ministrisë së Drejtësisë. Sipas vendimeve, qeveria ka autorizuar Ulsi Manjën që të lidhë kontrata me negocim të drejtëpërdrejtë me dy kompani të huaja. E para është Boston Consulting Group, e cila do të këshillojë ministrinë e Drejtësisë në luftën kundër korrupsionit. Ndërsa vendimi i dytë lidhet me G37 Chambers, që do të këshillojë Ulsi Manjën në luftën kundër kriminalitetit.

Ndërkohë vendimi i tretë, autorizon një tjetër institucion publik. Bëhet fjalë për Autoritetin Portual të Durrësit, të cilit iu dha e drejta që të lidhë marrëveshje me negocim të drejtëpërdrejtë me hollandezët e Royal Haskoning.

Vendimi qe autorizon APD te lidhe kontrate konsulence me Royal Haskoning

Kontratat e konsulencës shpesh janë maskim për shpenzime lobimi, përmes të cilave qeveria ble kredite politike në arenën ndërkombëtare.  Vlera e saktë që do të paguajnë qytetarët për këto tre prokurime të mbylluar nuk dihet ende, pasi ato janë në proces negocimi. Por kontrata e fundit, ajo me Royal Haskoning pritet të jetë të paktën mbi 12 milionë euro, çka mund ta çojë vlerën totale të të tre kontratave në mbi 30 milionë euro. Dhe nuk dihet ende se sa kontrata të tjera konsulence do të autorizohen si kjo, tani që qeveria i vuri flakën ligjit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *