25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Fermerët kërkojnë rikthimin e kompesimit të TVSH-së 20%

Sektori bujqësor prej vitesh ka qenë pjesë e eksperimenteve të shumta fiskale, që i kanë vënë fermerët përballë vështirësive në shitjen e prodhimeve, rritjen e të ardhurave dhe të qënit konkurrues në treg.

Në vitin 2019, qeveria vendosi të ulë TVSH-në rimbursueshme për fermerët nga 20 në 6 % duke krijuar pakënaqësi dhe ngërç për të gjithë sektorin dhe duke i dhënë më shumë hapësirë importit. Pas analizës së bërë mbi efektet e kësaj skeme, në paketën fiskale të vitit 2022 u vendos që TVSH e rimbursueshme të shkojë nga 6 % në 0%, ku sipas të dhënave nga Ministria e Financave, në vitin 2022 u arkëtuan vetëm 0,9 miliard lekë nga heqja e kompensimit të prodhuesit bujqësor.

Një tjetër lëvizje kjo që duket se ka ndikuar negativisht në prodhimin vendas dhe ka favorizuar importuesit dhe informalitetin. Për ti dhënë fund këtyre eksperimenteve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar ka dërguar pranë Ministrisë së Bujqësisë sugjerimet mbi paketën fiskale 2024, të siguruara nga SCAN TV, ku kërkohet që të zgjidhet kjo situatë, e cila konsiderohet si problemin madhor, që është krijuar për sektorin nga mos rimbursimi i TVSH-ës, për tepricën e prodhimeve që grumbulluesit dhe përpunuesit blejnë nga fermerët vendas. Pra e thënë ndryshe, KASH kërkon që skema e TVSH-së në bujqësi të kthehet në gjenden e mëpërparshme dhe kompensimi të jetë në nivelin 20%.

Shqetësimi i eksperimenteve në sektorin bujqësor dhe efektet negative që kanë prodhuar ato, janë ngritur edhe nga deputetë në radhët e mazhorancës, duke dhënë indikacion se Ministria e Financave mund të ndërhyjë në këtë sektor dhe të bëjë rregullimet e nevojshme për vitin që vjen.

Sa i takon skemave kombëtare të mbështetjes, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar propozohet që vitin e ardhshëm te ketë një buxhet më të madh dhe të fillojë të aplikohet subvencioni për njësi prodhimi sipas cilësisë fillimisht për ullirin dhe vajin e ullirit, si dhe në blegtori për qumështin dhe mishin.

Bujqësia kontribuon në masën 20% të PBB dhe garanton rreth 40% të punësimit, por ka mbështetjen me të ulët me fonde publike ne krahasim me sektorët e tjerë dhe në raport me vendet e rajonit.

Scan Tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *