15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ferri i zi i vendburimeve të vjetra të naftës në Shqipëri

Banorët e Zharrëzës në Shqipërinë qendrore jetojnë mes një peizazhi të qelbur apokaliptik të puseve të naftës që rrjedhin, rezervuarëve të ndryshkur të depozitimit dhe tokës së nxirë nga derdhjet e naftës së papërpunuar, që depërton në ujin e tyre.

“Të gjithë kemi probleme shëndetësore,” tha Milita Vrapi, një nga 2,000 fshatarët që jetojnë në ferrin e shkaktuar nga industria e naftës, kryesisht e parregulluar. “Ajri është shumë i rëndë. Shpesh ndihem e trullosur, me dhimbje koke dhe lodhje të vazhdueshme,” tha nëna 49-vjeçare. Uji është i papijshëm dhe perimet në kopshtin e saj nuk rriten më, tha ajo.

Puset e braktisura dhe rezervuarët e magazinimit dhe tubacionet e ndryshkura që rrjedhin mbushin zonën e pasur me naftë Patos-Marinzë, ku kënetat dhe liqenet e vegjël me naftë të të papërpunuar dëmtojnë peizazhin. Shumica e pajisjeve në fushat e naftës nuk janë mirëmbajtur për gati tre dekada.

Ajri i qelbur
“Ari i zi ka nxjerrë miliona dollarë nga toka, por banorët vendas nuk kanë përfituar prej tij”, tha fshatari Marsilin Senka, ndërsa mbante në krahë foshnjën e tij dy muajshe, e cila ka bronkit akut.

Ajri kundërmon nga puset e vjetra që janë lënë të hapur dhe nafta krudo e mbetur në tanke të shkatërruara duke kontaminuar tokën dhe ajrin masivisht. Në verë, disa vendas thonë se nuk mund të marrin frymë. Vetëm Zharreza ka rreth një duzinë pusesh të Albpetrol, në pronësi të shtetit. Shumica e tyre janë fare pak metra larg banesave. Ndërsa puset e tjera operohen nga grupi kinez Bankers Petroleum.

“Ndotja nuk është prioritet për kompanitë e naftës”, shtoi Senka.

“Më shumë se 18 mijë metra katrorë janë shumë të ndotura nga nafta bruto, sepse infrastruktura është lënë e braktisur prej më shumë se 25 vitesh, me efekte të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e banorëve”, tha Qani Rredhi, kreu i grupit mjedisor të fshatit.

Edhe grupet e të drejtave të njeriut e kanë dënuar situatën, ku Komiteti Shqiptar i Helsinkit në raportin e tij të fundit thotë se “afërsia e zonave të banuara dhe serave me vendburimet e naftës dhe puset e vjetra… dhe mungesa e masave të sigurisë dhe rehabilitimit janë një shqetësim i madh. “

Sëmundje
Vendasit thonë se fushat e naftës mund të jenë përgjegjëse për një mori problemesh shëndetësore që prekin banorët.

“Numri i banorëve që ankohen për probleme të frymëmarrjes, përqendrime të larta të dioksidit të karbonit në gjak apo që vuajnë nga sëmundje të lidhura me aktivitetet industriale është shumë i lartë”, tha Adriatik Golemi, një tjetër ambientalist vendas.

Nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës njerëzit u penguan kryesisht të jetonin në zonë. Por pas rënies së regjimit të tij, autoritetet toleruan kthimin e një numri të vogël banorësh të varfër dhe të tjerë që u vendosën në zonë.

Grupet mjedisore e kanë lidhur gjithashtu ndotjen me kanceret që kanë marrë jetën e disa banorëve vendas. Megjithatë, Fatjon Shehu – kreu i qendrës shëndetësore të fshatit – tha se ishte e vështirë të vendosej një lidhje në mungesë të studimeve të duhura, veçanërisht me rritjen e sëmundjeve të frymëmarrjes të shkaktuara nga Covid-19. Përtej problemeve shëndetësore, vendasit ankohen edhe për rrezikun e lëndimit apo vdekjes nga aksidentet e lidhura me industrinë.

Mbytjet
“Tre vjet më parë, një grua u mbyt në një gropë vaji ndërsa po shkonte pas pulave të saj,” tha Golemi për AFP, duke thënë se fshati ka të paktën pesë zona të ngjashme ku nafta ruhet në gropa.

Ka pasur edhe “raste të mbytjes së bagëtive dhe shpendëve në naftë”, shtoi Redhi, i cili u ankua edhe për “tymrat e fortë të gazit” që dilnin nga puset e braktisura.

Pavarësisht dëmeve që shkakton industria e naftës, Shqipëria prodhon vetëm 4.6 milionë fuçi naftë bruto në vit, e cila përdoret për të prodhuar bitum për rrugët.

Megjithatë, ajo ka rezerva të mëdha të vlerësuara në afro tre miliardë fuçi, megjithëse i duhet të importojë të gjithë karburantin nga jashtë që kur rafineria e saj e vetme u mbyll në 2019.

Ministria e Energjisë e vendit tha se autoritetet ishin të vendosura për të zgjidhur problemet mjedisore të paraqitura nga industria e naftës. “Kompanitë që punojnë në vendburimet naftëmbajtëse Patos-Marinzë po vënë në zbatim plane veprimi për rehabilitimin e të gjithë infrastrukturës së rrënuar”, tha për AFP. Por vendasit duan veprim tani.

Artemisa Vrapi, vajza 16-vjeçare e Militës tha se situata ishte e papranueshme. “Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për ekonominë dhe nxjerrjen e naftës, por për të shpëtuar jetë, për të shpëtuar mjedisin dhe planetin tonë”, tha Vrapi për AFP.

Ndërkohë, platforma pranë shtëpisë së tyre është prishur prej një jave dhe naftëtari Kadri Shahu, po përpiqet ta riparojë. Pa shpërblimet e performancës, paga e tij prej 540 euro në muaj nuk mjafton për të ushqyer familjen gjashtë anëtarëshe.

France 24

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *