14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Fierza drejt “tharjes”, KESH nis importet masive të energjisë

Rënia e nivelit të ujërave në liqenin e Fierzës, vazhdon pa ndërprerje. Mungesa e reshjeve dhe rënia e prurjeve të lumenjve po e çojnë drejt tharjes basenin më të madh ujëmbledhës në vend.

Situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të dy lumenjve kryesor janë shumë të pakta ndërsa rreziku për rënie në nivele kritike ekziston.

Sipas televizionit Report, Drini i Bardhë dhe Drini i Zi nuk sjellin më shumë se 50 metër kub ujë në sekondë ndërsa rënia e nivelit është 40 cm në 24 orë ndërkohë që niveli i ujit vetëm javën e fundit ka rënë me dy metra.

Në mesin e tetorit ishte 271.91 metra. Aktualisht niveli në liqen sipas KESH ka arritur në 269.21 metër nga 296.5 e kuotës maksimale.

Kjo rënie ka sjell edhe daljen e bazamenteve të dy urave mbi Drinin e Zi, ndërsa baseni i Fierzës po lë bregun e po tkurret çdo ditë rreth kupolës së tij.

Sipas sallës operative me qëllim ruajtjen e rezervës hidrike momentalisht asnjë turbinë nuk është në punë për prodhimin e energjisë elektrike nga katër që ka në total.

Kujtojmë se Liqeni i Fierzës në nivelin maksimal të tij ka një kapacitet ujëmbajtës prej 2.7 miliard metër kub ujë.

Ndërsa në nivelin e të ashtuquajturës pikë e vdekjes, 242 metra mbi nivelin e detit kapaciteti është 1.2 miliard metër kub ujë, që nuk shfrytëzohet për prodhim energjie.

Përballë kësaj situate KESH ka nisur të importojë masivisht energji elektrike. Në ankandin e fundit, për periudhën 28 tetor- 3 nëntor, Korporata bleu rreth 45 mijë mega energji elektrike nga privatët, me një çmim që varionte nga 108 deri në 125 euro për mega.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *