29 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

FMN qeverisë: Tani që rritët pagat, rrisni taksat

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi qeverinë shqiptare që të bëjë kujdes me rritjen e pagave. Në deklaratën përmbyllëse të vizitës në Tiranë, misioni i FMN i ka sugjeruar qeverisë që rritja e pagave të shoqërohet me rritjen e të ardhurave në buxhet për të mos vënë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të vendit.  

“Rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik duhet shoqëruar me masa domethënëse për të ardhurat dhe përfitime në efikasitetin e sektorit publik dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal,” thuhet në deklaratën e misionit.

Qeveria shqiptare ka paralajmëruar një program agresiv për rritjen e pagave në sektorin publik, fatura totale e të cilit vlerësohet në rreth 40 miliardë lekë në vit. FMN i ka kujtuar qeverisë rrugët se si mund të rrisë të ardhurat për të balancuar këtë faturë.

“Ne mbështesim ligjin “Për të ardhurat” miratuar së fundmi, i cili pritet të zgjerojë bazën tatimore. Zbatimi në kohë i masave të tjera të planifikuara për rritjen e të ardhurave tatimore është po ashtu me rëndësi,” deklaroi FMN.

Ndër masat e tjera të planifikuar për rritjen e të ardhurave në strategjinë afatmesme të hartuar nga FMN parashikohet rikthimi i tatimit mbi vlerën e shtuar në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë si dhe rritja e taksës së pronës.

Përmirësohet vlerësimi për rritjen ekonomike

Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikoi për lart projeksionin për rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti duke shtuar gati 1 pikë të plotë përqindje, krahasuar me vlerësimin e mëparshëm. FMN vlerëson se gjatë këtij viti Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë do të rritet me rreth 3 për qind, nga 2.2 për qind që ishte vlerësimi i mëparshëm.

“Ekonomia e Shqipërisë ka shfaqur qëndrueshmëri përballë goditjeve të njëpasnjëshme. Këtë vit, rritja ekonomike pritet rreth 3 për qind, e mbështetur nga kërkesa e qëndrueshme konsumatore, turizmi dhe aktiviteti i ndërtimit,” – theksoi misioni i FMN në deklaratën përmbyllëse të vizitës në Tiranë.

Por ekspertët e FMN paralajmëruan se ky projeksion ka disa rreziqe, ku më kryesorët janë ngadalësimi i pritshëm i ekonomisë së Eurozonës dhe inflacioni.

“Inflacioni mund të zgjatë më shumë, i nxitur nga kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe nga rritjet e konsiderueshme të pagave në sektorin publik, duke ndikuar edhe në pagat e sektorit privat,” vijon deklarata.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *