6 Dhjetor, 2023
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

FMN: Rihapja e basteve kritike për ekonominë dhe buxhetin

Përmes një deklarate të pazakontë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka mbështetur rihapjen e basteve në Shqipëri duke e cilësuar atë si një masë kritike për buxhetin. Në komunikatën zyrtare në përundim të misionit në Shqipëri, FMN shprehet: “Miratimi në kohë i masave që janë ende në përgatitje—përfshirë reformat e taksave mbi pronën dhe lojërat e fatit—është kritike.”

Kjo është hera e parë që Fondi Monetar shprehet haptazi në mbështetje të rihapjes së basteve sportive. Qeveria shqiptare pati vendosur mbylljen e basteve me ligj në vitin 2018. Por në fund të vitit të kaluar, ndryshoi qëndrim 180 gradë duke propozuar rihapjen e tyre vetëm online, me argumentin se po luheshin në të zezë duke rritur rreziqet sociale, por edhe duke shkaktuar dëm në buxhet përmes mungesës së të ardhurave.

Sipas planit fillestar, bastet ishin parashikuar të hapeshin në 1 janar të këtij viti, por projektligji u zvarrit për arsye ende të paqarta, që lidhen ndoshta me lobimin e fuqishëm të grupeve të interesit. Megjithatë drafti që rihap bastet online u miratua në qeveri në qershor të këtij viti.

Aktualisht ligji është në fazë diskutimesh në komisionet parlamentare. Edhe pse u miratua nga Komisioni i Ligjeve, drafti vazhdon të shqyrtohet në Komisionin e Ekonomisë, që është dhe komisioni përgjegjës. Edhe këtë herë zvarritja e ligjit më shumë se procedurat normale duke e lidhur me lobimin e fuqishëm të grupeve të interesit, të cilat kërkojnë relaksimin e kushteve të vendosura nga drafti i propozuar.

Sipas projektligjit, qeveria do të japë deri në 10 liçenca për baste sportive online, teksa përzgjedhja e subjekteve që do të ushtrojnë këtë aktivitet do të kryehet nga Komisioni i Posaçëm i Licencave.

Fillimisht qeveria planifikonte të mblidhte 2 miliardë lekë të ardhura në vit nga rihapja e basteve sportive, para të cilat do të derdhen në një fond të posaçëm për zhvillimin e sportit. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *