21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Gati ligji/ Hapje llogarie dhe shërbime bankare pa lekë për të varfrit

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, për të cilin është punuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe në konsultim me Bankën Botërore.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Mete u shpreh se projektligji synon hapjen e llogarive me shërbime bazike në bankat e nivelit të dytë për disa shtresa vulnerabël, duke siguruar shërbime me tarifa zero ose të diferencuara për këto shtresa.

Ministri informoi se projektligji parashikon tarifa zero për kryerjen e disa shërbimeve që konsiderohen bazike si: hapja e llogarisë, mbyllja e llogarisë, tërheqja e fondeve përmes bankomateve, kryerja e pagesave si dhe transfertave brenda vendit, për një sërë kategorish vulnerabël, si: përfituesit e pagesës së papunësisë; familjet dhe individët që trajtohen me ndihmë ekonomike; përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personal të tyre; individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personal të tyre; individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personal të tyre; invalidët e punës; jetimët që kanë përfituar statusin sipas ligjit, etj.

“Për të gjitha këto kategori, në momentin që hapin llogari me shërbime bazike pranë bankave të nivelit të dytë, së pari ligji vendos detyrimin që banka të mos refuzojë hapjen e një llogarie pagese me shërbime bazike për të gjitha këto kategori, si edhe të ofrojë shërbime me tarifa zero për pjesën më të madhe të tyre, ose me tarifa të diferencuara për pjesën tjetër”, tha ai.

Mete theksoi faktin se projektligji synon nxitjen e përfshirjes financiare, reduktimin e përdorimit të pagesave cash në ekonomi dhe rritjen e dixhitalizimit.

“Synimi është jo vetëm të ketë nxitje të përfshirjes financiare dhe qasje ndaj sekorit bankar për këto kategori, por edhe reduktim të përdorimit sa më shumë të jetë e mundur të pagesave cash dhe rritje të dixhitalizimit”, u shpreh ai.

Sipas njoftimit pas diskutimit nga ana e deputetëve, komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *