Përveç depozitave, të cilat preferohen gjerësisht nga shqiptarët, bonot e thesarit dhe obligacionet janë gjithashtu një investim i sigurt dhe fitimprurës i parave.
Drejtori i Operacioneve Monetare në Bankën e Shqipërisë, Marian Gjermeni, u shpreh se qytetarët mund të investojnë në bono thesari dhe obligacione në mënyrë direkte përmes Bankës së Shqipërisë ose në mënyrë indirekte përmes fondeve të investimeve dhe pensioneve.
“Ai fillimisht duhet të hapë te banka një llogari cash-i, ku të transferojë ose të derdhë të gjithë shumën që ai kërkon të investojë dhe pas kësaj duhet të plotësojë një kërkesë te bankat e nivelit të dytë, kë instrumente dëshiron të blejë dhe nëse do të futet me kërkesë konkurruese ose jokonkurruese. Në rastin që futet me kërkesë konkurruese, merr interesin mesatar që del nga ankandi dhe në rastin kur futet me kërkesë jokonkurruese merr interesin që ai ka caktuar vetë për t’u futur në ankand.”
Gjithashtu, gjatë këtij viti edhe jorezidentët kanë shfaqur interes për të investuar në tituj qeveritarë në vendin tonë.
“Lajmi pozitiv që kemi parë këtë vit është që ka jorezidentë që kanë shprehur interes për të investuar në titujt e qeverisë dhe kuptohet që këta do të kenë impakte pozitive në drejtim të rritjes së likuiditetit të tyre. Mirë është që individët ta vendosin për të qëndruar ose jo në një instrument, më tepër në funksion të nevojave të tyre, sesa realisht të normës së interesit, sepse në jo pak raste bëjnë dalje nga ky investim në momentin e gabuar dhe mund të kenë edhe humbje, dhe kjo u provua gjatë vitit 2022 sidomos tek investimet indirekte nëpërmjet fondeve të investimit.”
Bonot e thesarit janë instrumente financiare afatshkurtër me maturim 3, 6 dhe 12 mujor, ndërsa obligacionet janë instrumente me maturitet afatmesëm dhe afatgjatë.
Scan TV