15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Uncategorized

Gjurmët e Artur Shehut në Vlorë

Investigative Network Albania nis botimin e një cikli investigimesh mbi krimin e organizuar në Shqipëri. Një grup gazetarësh me përvojë në këtë fushë janë angazhuar prej muajsh për të zbuluar dhe vërtetuar aktivitetin e disa prej organizatave kriminale më në zë në vend. Aktiviteti i tyre kriminal i gërshetuar me veprimtarinë ekonomike, e cila shërben edhe për të pastuar paratë, si dhe lidhjet e tyre me politikën përbëjnë trekëndëshin e këtij cikli artikujsh hulumtues. Ky model i gazetarisë investigative ka për qëllim të ekspozoje lidhjet mes këtyre fushave duke hedhur dritë mbi lidhjet okulte dhe të ndihmojë sadopak luftën kundër pandëshkueshmërisë. Po ashtu, cikli synon të motivojë edhe autoritetet, veprimtaria e të cilave është në fokus të shkrimeve si dhe strukturat e drejtësisë që funksionojnë në vend. Shkrimi i parë i këtij cikli i dedikohet qytetit bregdetar të Vlorës dhe krimit të organizuar në këtë qytet.

Biznesmeni kontrovers, Artur Shehu, zgjeron pasurinë e tij në Shqipëri me lejet e ndërtimit, të firmosura nga kryeministri, Edi Rama, mes polemikave dhe akuzave për uzurpim pronash. Ndërkohë, në Zvërnec, banorët kërkojnë ndërhyrje nga SPAK (Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), në sfondin e marrëveshjeve të turbullta dhe mungesës së llogaridhënies përballë aktiviteteve të dyshuara të mafies së pronave.

Autor: Redaksia INA Media

Vlonjati kontrovers, Artur Shehu, vijon që ta shtojë pasurinë e tij në Shqipëri, edhe pse jeton në SHBA prej më shumë se dy dekadash. Me vulë të kryeministrit Rama, kompania e Shehut, Adhenis, po ndërton një godinë dykatëshe shërbimi, pikërisht në një hapësirë, ku qeveria shqiptare ka shpenzuar rreth 4 milionë euro për një park publik.

Bëhet fjalë për projektin Lungomare 2, që shtrihet nga fusha e sportit, në zonën e njohur si Uji i Ftohtë, dhe përfundon te tuneli i ndërtuar gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë.

Ky nuk është investimi i vetëm që Shehu ka në jug të vendit. Kompania Adhenis, aksionar i vetëm i së cilës është zoti Shehu, është ndër financueset e raportit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis Vjosë-Nartë. Në këtë zonë, ku po ndërtohet edhe aeroporti i Vlorës, Artur Shehu ka përfituar nga tjetërsimi i titujve të pronësisë rreth 500 hektarë.

I hetuar në Itali, me lidhje me mafien vendase, i përmendur në disa dosje të tjetërsimit të pronave nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, i akuzuar nga banorët lokalë si person që iu ka uzurpuar pronat, ndaj Shehut nuk konfirmohet asnjë hetim zyrtar. INA Media tentoi që të kontaktonte me zotin Shehu nëpërmjet mjaft kanaleve të komunikimit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori asnjë reagim prej tij.

Xhevahiri i Vlorës

Përballë Luanit të famshëm, ku dikur mbushnin ujë vlonjatët, në thellësi të detit Jon, disa shtylla betoni në formë cilindrike kanë mbirë mbi ujë. Mbi to një tarracë gjigante duket se krijon katin e parë të ndërtesës së etiketuar në shkresa zyrtare si “një xhevahir në gjerdanin e bregdetit të Vlorës”. Po ndërtohet godina dykatëshe me funksion shërbimi, e miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit në mes të dhjetorit të vitit 2022.

Në lejen e ndërtimit të miratuar nga Këshilli i Territorit nuk shkruhet vlera e këtij investimi, që po kryhet nga kompania Adhenisqë ka një xhiro të deklaruar, vjetore prej 122 610 894,00 lekësh. Përballë saj, në tokë, qeveria ka derdhur rreth 4 milionë euro për të ndërtuar një pishinë olimpike me ujë deti për qytetarët, një tjetër pishinë për fëmijët dhe një parkim me 160 vende, si vazhdim i Lungomare-s në Vlorë. Dukshëm godina me funksion shërbimi e zotit Shehu do të përfitojë nga investimi i buxhetit të shtetit.

As Bashkia e Vlorës, as KRT e as Kryeministria, që funksionojnë si komplementare me njëra-tjetrën, nuk iu përgjigjën pyetjeve mbi favorizimin e kompanisë Adhenis nga projekti i buxhetit të shtetit.

Lungomare 2 ende nuk ka përfunduar, por një restorant, i pagëzuar “Gjurma”, ushtron aktivitetin që nga janari i vitit 2024.

Artur Shehu në fillim të viteve `90 shërbente në Gardën e Republikës, por shumë shpejt u konvertua në biznesmen në qytetin e tij të lindjes. Fillimisht, një lokal; më pas, një hotel dhe një kazino, e cila ishte e para në qytetin e Vlorës. Përplasja me njërën prej bandave më të forta shënoi për herë të parë emrin e Artur Shehut në defterët e policisë shqiptare.

Kronikat e kohës, të cilat i referohen Ministrisë së Brendshme, tregojnë se në lagjen Pavarësia të qytetit të Vlorës, brenda lokalit të Artur Shehut, ka pasur shkëmbim zjarri. U vranë Robert Shehu, 30 vjeç, Luan Bedini, 50 vjeç, që të dy nga Vlora, dhe Afrim Rami nga Burreli. Të plagosur mbetën Arben Lalaj, 25 vjeç, nga Tirana dhe Myrteza Çaushi. Ky i fundit aktualisht është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim të organizatës kriminale dhe krimeve të kryera nëpërmjet saj.

Dritan Zagani, ish-oficer policie, tashmë në azil në një nga vendet e BE-së, kujton rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje. “Kjo ngjarje u pasua me ekzekutimin e tre personave të tjerë në shtator të atij viti. Artur Shehu ishte një ndër personat e dyshuar, por asnjëherë nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta proceduar”, – thotë Zagani.

Pas këtyre ngjarjeve askush nuk e ka parë më Artur Shehun në Shqipëri.

Ai siguroi azil politik në SHBA në vitin 2001. Në vitin 2019 mori green card, duke i hapur rrugën kështu fitimit të nënshtetësisë amerikane.

Ndonëse iku nxitimthi, ai vazhdoi të drejtonte operacionet në vendlindjen e tij nga një rezidencë e madhe e stilit neokolonial në brigjet e Floridës.

Emri i tij përmendet sërish në vitin 2010, kur një eksponent i mafies italiane arrestohet në Shqipëri. Albino Prudentino, anëtar i klanit Sacra Corona Unita, u prangos më 29 shtator 2010, në Vlorë. Sipas dosjes hetimore, italiane, Shehu konsiderohej si një pikë shumë e rëndësishme referimi për aktivitetin e paligjshëm të Prudentino-s në fushën e pastrimit të parave me origjinë të dyshimtë.

“Në aktet e administruara krijohet bindja e qartë se, Prudentino dhe Artur Shehu janë ortakë dhe se shuma të mëdha parash (më shumë se 1 milion euro) kanë kaluar nga Prudentino në llogarinë bankare të Shehut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – shkruhet në dosje.

Asokohe Prudentino kishte marrë me qira dy katet e para të një pallati luksoz në zonën e Ujit të Ftohtë, ku kishte vendosur bizneset e tij, një restorant, një pastiçeri në katin e parë dhe një sallë lojërash fati në katin e dytë. Dyshimi ishte se kapitalet, me të cilat ai kishte krijuar kompanitë në Shqipëri, kishin si origjinë financiare fitimet e veprimtarisë mafioze në Itali.

Prudentino u shpall fajtor në vitin 2013, për pastrim të paligjshëm parash përmes këtyre bizneseve dhe u dënua me tre vite burg, ndërsa hulumtimet dhe provat e siguruara për Shehun iu dorëzuan autoriteteve në Shqipëri.

Në Shqipëri i vetmi person, që përfundoi në gjykatë, ishte aksionari i tij, Leonard Bishaj, i cili arriti t`i shpëtojë hetimit, pasi provoi se, 50% e aksioneve të tij në shoqërinë Casino Italia buronin nga shitja e pronave, që ai kishte bërë me shtetasin Mezin Malaj, ish-deputet i Partisë Socialiste në vitin 2001-2005, dhe djalit të tij, Kreshnikut.

Kjo nuk është lidhja e vetme, që ekziston mes Shehut dhe Bishajt, i cili ka një prokurë përfaqësimi të Shehut që nga vitit 2016. Sipas Regjistrit Kombëtar të Bizneseve, Shehu ka regjistruar në Shqipëri kompani me veprimtari për zhvillimin e resorteve turistike. Kompanitë janë hapur gjatë viteve 2019-2020. Në kompaninë Adhenis Shehu i ka dhënë prokurë përfaqësimi Leonard Bishajt, ndërsa te kompania Portonova bashkë-aksionar është shtetasi Agron Hyseni, i cili rezulton në rekordet e prokurorisë shqiptare.

Aktiviteti i Shehut nuk është i përqendruar vetëm në Shqipëri. Një operacion i Europol-it ndaj klanit Osmani në shkurt të vitit 2022 nxori në pah sërish emrin e Shehut. Mediat italiane raportojnë se një nga figurat kryesore të organizatës, që drejtohej nga vëllezërit Osmani, është edhe biznesmeni kontrovers, shqiptar, Artur Shehu.

Një përfaqësues i Artur Shehut është arrestuar si pronar i një objekti akomodimi në Viale Monte Grappa. Detyra e “mëkëmbësit” të Artur Shehut ishte pastrimi i parave në zonën e Pratos. Bëhet fjalë për paratë, që vijnë nga trafiku i kokainës, që nis nga Amerika e Jugut për në Europë përmes portit të Hamburgut. Klani Osmani zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë disa dhjetëra-miliona euro në Gjermani, shkruajnë mediat italiane, që përmendin shfrytëzimin e prostitucionit.

“Të gjitha kazinotë dhe shtëpitë publike në Pragë ishin nën kontrollin e tyre”, – shkruan Il Tirreno.

Hije dhe akuza për pronat e fituara në Vlorë

Malo Bodo në janar të vitit 2016 denoncoi në Prokurorinë e Vlorës tjetërsimin e një prone në një nga zonat më të lakmuara në bregdetin shqiptar, në Gadishullin e Karaburunit. Falë këtij denoncimi prokuroria shqiptare do të zbulonte piruetet me pronat në këtë zonë. Dokumentacioni tregon se nga 220 hektarë, të përfituara nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, 130 i kishin kaluar Artur Shehut, ndërsa pjesa tjetër ishte shitur te dy kompani, që zotërohen nga ish-deputeti socialist, Fidel Ylli, dhe Konsulli i Nderit të El Salvadorit në Shqipëri, Gerian Kuka.

Ky nuk është rasti i vetëm, kur emri i Artur Shehut del në dosjet e drejtësisë shqiptare sa i përket tjetërsimit të pronave në jug të vendit.

Aktualisht, Shehu rezulton pronar i disa hektarëve tokë në jugun e Shqipërisë; në Zvërnec, në Ujin e Ftohtë, në Karaburun dhe në Palasë – ku sipërfaqja e tjetërsuar përllogaritet në rreth 500 hektarë. Banorë të këtyre zonave pretendojnë se toka iu është rrëmbyer nga “mafia e pronave në jug të Shqipërisë”.

Në dosje të veçuara hetimi prokuroria ka ngritur akuza se prona është përfituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve gjatë viteve 2006-2009. Më pas janë shitur te persona të tretë.

Pavarësisht denoncimeve, prokuroria asnjëherë nuk e ka vendosur nën akuzë Artur Shehun. I vetmi person i hetuar, i arrestuar dhe tani në proces gjykimi në gjendje të lirë është Pëllumb Petritaj, i cili, sipas prokurës së lëshuar që në korrik të vitit 2012, vepron dhe ka besimin e plotë të Artur Shehut.

Çështjet e hapura në ngarkim të Petritajt vijojnë pingpongun nëpër gjykatat shqiptare dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar sa i përket akuzave të ngritura nga Prokuroria e Vlorës për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Dokumentet e siguruara nga INA Media tregojnë se, në emër të djalit të Pëllumbit, Amarildo Petritajt, janë regjistruar rreth 60 mijë metra katrorë tokë në zonën e Zvërnecit. Dokumentet tregojnë se prona e përfituar nga Amarildo Petritaj është pikërisht në zonën, ku Shehu është shpallur pronar nëpërmjet vendimeve të kontestuara, jo vetëm nga Prokuroria e Vlorës, por edhe nga banorët.

Babë e bir refuzuan t`i përgjigjen pyetjeve, që INA Media ngriti për përfitimin e kësaj sipërfaqeje toke nga Amarildo Petritaj, nëse kjo sipërfaqe ishte shpërblimi, që Pëllumb Petritaj mori nga të gjitha telashet që pati me drejtësinë shqiptare për shkak të përfaqësimit të Shehut në dhjetëra procese të tjetërsimit të pronave.

Banorët, pa përkrahje, akuzojnë shtetin dhe mafien

Dhurata Dajlani, pasardhëse e një familjeje, që gjatë regjimit komunist u burgos vetëm për shkak të pasurisë, ka 11 vjet që endet dyerve të institucioneve të shtetit shqiptar në kërkim të pronës.

Sot, ajo ndjek çështjet penale, që prokuroria ka ngritur në ngarkim të Pëllumb Petritajt, si palë e interesuar në proces.

Procedurat ligjore, që Dhurata ndiqte për të rifituar pronën në emër të familjes Dajlani, nisën të pezullohen, që kur Pëllumb Petritaj, në emër të familjes Shehu, i kërkoi Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë që të njohë të drejtën e pronësisë mbi 182.12 ha tokë në Zvërnec dhe të kthehet sipërfaqja e përgjithshme prej 52.1 hektarësh.

Në vitin 2010 sipërfaqja prej 52.1 ha regjistrohet në emër të Ramiz dhe Kadri Shehut, duke u mbivendosur në një sipërfaqe prej 24 ha mbi pronat e njohura dhe të kthyera më herët pasardhësve të Arshi Dajlanit.

Këtu zë fill dhe konflikti i Dhuratës me familjen Shehu. “Unë jam një viktimë e këtij procesi, kështu më cilëson, edhe gjykata, edhe prokuroria, në dosjet që ka hapur. Të gjitha ankesat e mia apo dhe kallëzimet në prokurori mbylleshin. Tani çështjen e ndjek prokuroria, pas kallëzimit që kam bërë unë. Vazhdoj të jem në procese gjyqësore për shkak të mbivendosjes së kryer, pas regjistrimit të pronave të familjes Shehu”, – tha Dhurata Dajlani për INA Media-n.

Gruaja 74-vjeçare tregon se prona e saj ishte shitur nga Pëllumb Petritaj tek ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami, i cili në dhjetor të vitit 2016 e humbi mandatin, ngaqë nuk kishte deklaruar problemet me ligjin në të kaluarën.

Tjetërsimi i sipërfaqes së konsiderueshme të tokës në Zvërnec u bë objekt hetimi edhe nga Prokuroria e Vlorës në vitin 2015.

Pas tre vitesh hetime për tjetërsimin e pronave, prokuroria ngarkoi me përgjegjësi penale Pëllumb Petritajn. Bashkë me të u akuzuan edhe ish-drejtori i Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë, Petro Puleri, ish-përgjegjësi i Sektorit Juridik në Zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe aktualisht nëndrejtor i Hipotekës së Vlorës, Klodian Jahaj, si dhe specialistja në Zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Mirjam Isufaj.

Organi i akuzës argumenton se, nga aktet shkresore, të depozituara, nuk rezulton, që shtetasi Seit Shehu të jetë shpronësuar, apo t’i jetë sekuestruar, apo t’i jetë konfiskuar ndonjë pasuri nga autoritetet e shtetit nga data 29 nëntor 1944 e në vazhdim.

Më 3 prill 2018, Gjykata e Vlorës e dënoi Pëllumb Petritajn me 3 vjet burg. Gjykata gjithashtu dënoi me burg edhe tre punonjësit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Mirëpo, në janar të vitit 2023, Gjykata e Apelit i shpalli të pafajshëm Petritajn dhe bashkëpunëtorët e tij.

Zonja Dhurata Dajlani thotë se është në pritje të zbardhjes së vendimit të gjykatës për të bërë ankimim në Gjykatën e Lartë. Bashkë me Dhuratën, i tërë fshati ka nënshkruar dhjetëra peticione, ka hapur procese gjyqësore në kërkim të pronës që iu përket.

I ndodhur në pjesën veriperëndimore të qytetit të Vlorës, fshati Zvërnec i ka të gjitha resurset për të qenë një qendër turistike. I rrethuar plotësisht nga ujërat e lagunës së Nartës, e shpallur zonë e mbrojtur, dhe ujërat e detit Adriatik, me një vijë bregdetare prej 10.5 km, vendasit jetojnë në zgrip të mjerimit.

Fshati i vjetër thuajse është i braktisur. Numërohen vetëm rreth 50 familje, kryesisht pleq, që jetojnë me të ardhurat e fëmijëve nga emigrimi. Pak prej tyre kanë mundur të sigurojnë certifikatë pronësie për tokën e trashëguar.

Telashet për vendasit nisin në vitin 2006, kur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njohu të drejtën e pronësisë Seit Shehut. Dokumentet tregojnë se, gjatë viteve 2006-2009 Ramiz Seit Shehut i janë kthyer 278.505 hektarë tokë. Trashëgimtar direkt është Artur Shehu. Banorët e fshatit i kanë denoncuar vendimet si një aferë korruptive, që iu vjedh pronën nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.

Banorët e kanë fituar procesin në Shkallën e Parë dhe gjykata ka urdhëruar shfuqizimin e vendimeve, që njihnin pronar familjen Shehu.

“Rezulton e provuar se aktet administrative, të goditura në rrugë gjyqësore, duhet të anulohen, pasi e gjithë sipërfaqja e kthyer trashëgimtarëve të të ndjerit Seit Shehu është trajtuar dhe iu është shpërndarë banorëve të fshatit Zvërnec”, – thuhet në vendimin e qershorit të vitit 2013 të Gjykatës së rrethit, Vlorë. Por, edhe 11 vjet më pas, banorët e Zvërnecit presin shqyrtimin nga Gjykata e Apelit për vendimin përfundimtar.

Anesti Balli, Kryeplaku i fshatit Zvërnec

Kryeplaku i fshati, Anesti Balli, thotë se të vetmit, që nuk mund ta regjistrojnë pronën në këtë fshat, janë banorët e Zvërnecit, trashëgimtarët e vetëm legjitimë.

“Çdo ditë del një certifikatë pronësie në emër të çdo personi tjetër, vetëm banorët e Zvërnecit nuk munden. Ne shkojmë për të bërë regjistrimin e pronës dhe na thonë se kemi mbivendosje. Ndërkohë, këtu vijnë njerëz, që thonë se, jemi pronarë, pasi e kanë blerë tokën nga Artur Shehu”, – thotë kryeplaku.

Sipas tij, tjetërsimi i pronave të tyre nuk është çështje administrative, por penale. “Ne kemi vite që endemi gjykatave, por kjo është një çështje, që duhet të hetohet nga SPAK”, – thotë ai

Paralelisht me dosjen në Gjykatën Administrative, Prokuroria e Vlorës ka kryer hetime penale ndaj Pëllumb Petritajt për falsifikimin dokumentesh.

Prokuroria dyshon se falsifikimi i një dokumenti të vjetër në gjuhën osmane i ka shërbyer Pëllumb Petritajt, që në emër të familjes Shehu të njohë të drejtën e pronësisë mbi 182.12 hektarë tokë në Zvërnec.

Dhurata për fondacionin e bamirësisë, të themeluar nga italianët

Ish-drejtori i Interpolit në Itali, Fabrizio Lisi, avokatët Giampaolo PolveriniFrancesco Zaccaria, dhe diplomati Eugenio Campo në ditët e fundit të vitit 2014 vendosën të themelonin një fondacion bamirësie. E pagëzuan me emrin Luca dhe Marco Eftimiadhi, pasardhës të një familjeje shqiptare, të shpërngulur në Trieste të Italisë, në fund të viteve 1800.

INA Media nuk mundi të gjejë të dhëna historike apo edhe dokumente mbi këtë familje në Shqipëri. Të vetmet të dhëna për këtë familje janë rrëfimet e publikuara të Paulo Muner-it, ushtarak italian, që ka shërbyer në Shqipëri në vitin 1991 si komandant i Rojës Bregdetare italiane dhe më pas si konsulent në qeverinë shqiptare, (2001-2003).

Në librin Shqiptarët e Triestes ushtaraku rrëfen se, në vitin 1992 ka zënë miqësi me Salvadore Eftimiadhin, pasardhësin e fundit të kësaj familjeje. Muner dëshmon se familja kishte pasuri në Vlorë dhe se Salvadore kishte dështuar në përpjekjet për ta rifituar të drejtën e pronësisë.

Është i paqartë burimi i pronësisë së familjes, pasi në vendimin e Gjykatës së Vlorës së vitit 1994, pasi mori në shqyrtim kërkesën e Eftimiadhit për rikthimi e 11,314 m2 tokë në zonën e quajtur Uji i Ftohtë në Vlorë, shkruhet se pretendentët nuk dispononin dokumente të qarta, pronësie.

Ushtaraku dëshmon se Eftimiadhi kishte ndërmend të ngrinte një fondacion në nder të babait, Lukës, dhe të vëllait Markos, që ishte vrarë gjatë pushtimit gjerman të qytetit të Brindisit.

“Meqenëse nuk kishte trashëgimtarë legjitimë, kishte vendosur t’ia linte të gjitha pronat një fondacioni, që do të ngrihej për përjetësimin e të atit dhe të vëllait, me qëllim parësor ndihmën e studentëve vlonjatë për vazhdimin e studimeve në Trieste”, – shkruan Muner.

Salvadore Eftimiadhi, trashëgimtari i fundit i familjes, ndahet nga jeta më 31 tetor 2008. Ai nuk mundi ta themelonte fondacionin e ca më pak të rifitonte pronat, që pretendonte në Shqipëri.

Ai që ushtaraku Muner thotë se ishte amaneti i Salvadore Eftimiadhit merr jetë 6 vjet më vonë. Megjithëse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta më familjen Eftimiadhi, të tre burrat me nënshtetësi italiane, që krijuan fondacionin, kanë lidhje të forta me Shqipërinë.

Avokati Polverini ka ndarë prej vitesh zyrën me Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë shqiptare, Engjell Agaçi; Gjeneral Lisi ka shërbyer për tre vjet në misionin paqeruajtës, 1997-1999, në Shqipëri, si dhe i ka dedikuar një libër Shqipërisë. Diplomati është Qytetar Nderi i Shkodrës, ndërsa Zaccaria përfaqësonte familjen e larguar nga Shqipëria në fundin e viteve 1800.

“Fondacioni nuk ka qëllim fitimi, ai ngrihet vetëm me qëllim bamirësie”, – thuhet në aktin e themelimit të fondacionit në Romë.

Dokumentet tregojnë se brenda një muaji fondacioni u regjistrua si aktivitet jofitimprurës edhe në gjykatën shqiptare. Në Shqipëri nuk gjenden rekorde për aktivitete bamirësie të fondacionit me seli në qendër të Tiranës. Por, ai që nisi si fondacion bamirësie, shumë shpejt u shndërrua në ndërmarrje tregtare.

Dy muaj pas themelimit në Romë, fondacioni përfiton sipërfaqe të konsiderueshme pronash në Shqipëri nëpërmjet akteve të dhurimit. 3000 m2 tokë buzë detit të Nartës u regjistruan në emër të fondacionit në verën e vitit 2015. Sipërfaqja, vetëm 19 ditë para kontratës së dhurimit, ishte e regjistruar në emër të Artur Shehut në zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë.

Pjesë e marrëveshjes është edhe dhurimi i 590 m2 apartamente tek Uji i Ftohtë. Sipas agjencive imobiliare, çmimi në këtë zonë shkon nga 900 deri në 1000 euro m2. Dhuruesi për të dyja këto pasuri ishte Artur Shehu.

Kontratat nuk i japin arsyet e këtij akti bamirësie nga ana e Shehut. Janë nënshkruar nga Alketa Ylli (Orsini), e cila është edhe administratorja e fondacionit, si dhe nga Pëllumb Petritaj, në cilësinë e personit të autorizuar nga Shehu. Aktualisht, asnjë projekt nuk është zhvilluar në këto zona, por Narta është një nga zonat, që planifikohet si shesh ndërtimi për zhvillimin e turizmit në vend.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *