19 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Gjykata vendos të hënën për masat ndaj Beqajt

Të hënën në orën 12.00 është caktuar në GJKKO seanca gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës dhe marrjen në pyetje të Ilir Beqajt.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka urdhëruar që ish ministri i Shëndetësisë të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore.

Gjykata theksoi në vendim se personi nën hetim Ilir Beqaj dyshohet të ketë kryer shpërdorim të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.

Hetuesit dyshojnë se Beqaj ka toleruar vlerësimet e komisionit për kostot e materialeve, të cilat më vonë kanë rezultuar të fryra.

Ai ka hedhur poshtë akuzat për shpërdorim detyre dhe përmes rrjeteve sociale ka deklaruar se ka zbatuar vetëm ligjin.

Pas vendimit të sotëm të GJKKO, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dha dorëheqjen nga detyra e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Emërimi i tij në këtë agjenci nuk u prit mirë nga diplomatët perëndimorë në vend, madje ata kanë bërë edhe veprime publike për të shprehur pakënaqësinë e tyre teksa ishin në konferenca pranë tij.

Pak kohë më parë kryeministri Edi Rama e përfshiu Beqajn edhe në grupin negociator të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Kufizimi i udhëtimeve të tij jashtë vendit e pamundëson kryerjen edhe të kësaj detyre.

Koncensioni i dhënë 8 vjet më parë parashikonte ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.

Tre muaj më parë çështja për të cilën ish ministri Beqaj është nën hetim për shpërdorim detyre në bashkëpunim, ka çuar në arrest me burg nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikim dokumentash në bashkëpunim dhe mashtrim ish zvministrin e shëndetësisë Klodian Rrjepaj si dhe biznesmenin që fitoi koncensionin Ilir Rrapaj.

Hetimet e kësaj çështje bazohen në dyshimet për shpërdorim të detyrës nga zyrtarët, shkelje e barazisë së pjesëmarrëve në tendera kryer në bashkëpunim, si dhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.

I dyshuari për mashtrim me pasoja të rënda, biznesmeni Ilir Rrapaj fitoi koncensionin në dhjetorin e vitit 2015, ndonëse menjëherë në atë kohë lindën dyshimet për korrupsion dhe mosplotësim të kritereve ligjore.

Edhe 6 persona të tjerë u vendosën me të njëjtat akuza nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje përmes falsifikimeve dhe shpërdorimit të detyrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *