25 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Gjysmë fitore për studentët e mjekësisë, Kushtetuesja shfuqizon pjesërisht ligjin

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar qeverinë për ligjin e studentëve të Mjekësisë, duke hequr kështu disa kufizime për studentët e kësaj dege.

Në vendim saktësohet se periudha 5-vjeçare e punësimit në Shqipëri, pas mbarimit të shkollës, rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim.

Kështu gjykata vendosi heqjen e periudhës, 5-vjeçare, 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të punësimit në vend për studentët e Mjekësisë.

Në vendim theksohet se Kuvendi e ka detyrim që të të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Ndërkohë është hequr edhe masa e pezullimit të ligjit, ligj i miratuar nga maxhoranca në korrik të vitit të kaluar.

Vendimet:

1-Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2-Shfuqizimin e fjalëve “5 (pesë) vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5-vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “3 (tre) vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023.
3-Konstatimin e ometimit ligjor në nenin 6 të ligjit nr. 60/2023 lidhur me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.
4-Detyrimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
5-Heqjen e masës së pezullimin të ligjit.

Vendimi i plotë i gjykatës:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në datën 21.12.2023 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit dhe një grup studentësh të Fakultetit të Mjekësisë, me objekt: “Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit.

Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi:

1-Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2-Shfuqizimin e fjalëve “5 (pesë) vjet” në nenin 4, pika 1, shkronja “b”, “5-vjeçar” në nenin 4, pika 1, shkronja “c”, “3 (tre) vjet” në nenin 4, pika 2, shkronja “a”, “3-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, “2 (dy) vjet” në nenin 4, pika 3, shkronja “a”, “2-vjeçar” në nenin 4, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 60/2023.
3-Konstatimin e ometimit ligjor në nenin 6 të ligjit nr. 60/2023 lidhur me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.
4-Detyrimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
5-Heqjen e masës së pezullimin të ligjit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese./CNA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *