Qeveria ka vendosur të japë 3 milionë euro grante për start up-et dhe lehtësuesit e tyre, të cilët vetëdeklarohen në regjistrin elektonik dhe janë të pajisur me pasaportën përkatëse sipas kërkesave ligjore.
Sipas vendimit të qeverisë, Subjektet kërkuese, start up, mund të aplikojnë si individ, person fizik ose juridik, vendas ose i huaj duke përfshirë dhe nomadët digjitalë. këto subjekte mbështeten me grant nga buxheti i shtetit nëse kanë përfunduar regjistrimin dhe kanë përzgjedhur saktë fazën e zhvillimit të tyre.
Qeveria ka përcaktuar 3 faza të zhvillimit të sipërmarrjeve start up. Ato janë faza fillestare, ajo e validimit dhe faza e tretë është ajo e rritjes.
Start up-et në fazën fillestare, e hershme, (F1) mund të jenë individë privatë, vendas ose të huaj, përfshirë nomadin digjital, të cilët kanë plan të vijojnë operacionet e biznesit në Shqipëri. Start up-et në fazën e validimit (F2) dhe fazën e rritjes (F3) duhet të jenë biznes i regjistruar ligjërisht në regjistrin tregtar të Republikës së Shqipërisë dhe jo më të vjetër se 6 (gjashtë) vjet në kohën e kërkesës si dhe duhet të kenë përmbushur shlyerjen e të gjitha detyrimeve tatimore në momentin e kërkesës për mbështetje me grant nga shteti.
Paratë
Shuma e grantit që i jepet ndërmarrjeve start up nga buxheti ndryshon në varësi të fazës. Ministrja e sipërmarrjes Delina Ibrahimaj ka bërë publike detajet deri në sa para mund të përfitojnë këto sipërmarrje.
“Start-up-et që janë në fazën fillestare mbështeten me një fond maksimalisht 1.5 milionë lekësh. Mund të aplikojë çdo individ, i ri, student, nomad dixhital, i cili nuk është nevojshëm të jetë i regjistruar në qendrën e biznesit, por që ka një ide që do të zhvillojë, dhe që do gjejë financim në një fazë prej 1.5 milionë lekë,” tha Ibrahimaj.
Ndërkohë në fazën e dytë, që është ajo e validimit do të mbështeten ato subjekte që kanë minimalisht një vit që operojnë, pra që kanë dorëzuar një palë pasqyra financiare dhe që kanë krijuar një prototip. Kjo kategori do të mbështetet në masën 4.5 milionë lekë. Ndërkohë që do jetë dhe një kategori e tretë e mbështetjes, ata që kategorizohen në fazën e rritjes, ku prototipi është zhvilluar dhe është i tregtueshëm dhe ka nevojë që të ndërkombëtarizohet. Këto subjekte do të mbështen në masën maksimale prej 9 milionë lekësh.
Start up-eve dhe lehtësuesve iu lëvrohet fondi për projektin në 3 (tri) këste:
a) Kësti i parë: 30% (tridhjetë për qind) të vlerës së fondit menjëherë pas nënshkrimit të kontratës së grantit;
b) Kësti i dytë: 40% (dyzet për qind) të vlerës së fondit menjëherë pas miratimit nga Start up Albania të raportit përshkrues dhe financiar të fazës së parë;
c) Kësti i tretë: 30% (tridhjetë për qind) të vlerës së fondit pas miratimit nga Start up Albania të raportit përshkrues dhe financiar përfundimtar.