14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Hapet tenderi/ 18 mln euro për burgun e të miturve në Mëzes

Qeveria do të ndërtojë një burg të ri për të miturit në Mëzes. Ministria e Drejtësisë ka hapur tenderin për ndërtimin e Institucionit për Edukim dhe Rehabilitim të të Miturve.

Sipas dokumentave të publikuara në Agjencinë e Prokurimeve Publike fondi limit i tenderit është përcaktuar 1 miliardë e 923 milionë lekë ose 18.2 milionë euro me kursin aktual.

Institucioni i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve është konceptuar si një mekanizëm pranë të cilit do të zbatohen programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për të miturit që janë dënuar nga gjykata me dënimin e kufizimit të lirisë.

Në vitin 2019, qeveria miratoi vendimin “Për përcaktimin e rregullimeve të veçanta lidhur me funksionimin e mjediseve, të nivelit të sigurisë së tyre dhe standardet e programeve të edukimit e të rehabilitimit, në rastet e kufizimit të lirisë së të miturve”.

Sipas vendimit, institucioni i Kufizimit të Lirisë vlerësohet se do të funksionojë si një institucion gjysëm i hapur, ku të miturve do t’iu kufizohet liria e veprimit/lëvizjes në atë masë që parandalohet kryerja e veprave penale prej tyre dhe veçanërisht synohet riintegrimi dhe rishoqërizimi i të miturit në komunitet.

E gjithë procedura që do të ndiqet nga punonjësit e institucionit në kuadër të rishoqërizimit të të miturit do të bazohet në një program edukues/rehabilitues të përgjithshëm të hartuar nga vetë institucioni dhe një program individual trajtimi që do të bazohet në vlerësimin e nevojave specifike të çdo të mituri si dhe te metodat e ndërhyrjes.

Për këtë institucion është planifikuar një kapacitet fillestar prej 34 punonjësish që do të trajtojnë të miturit. Tenderi për ndërtimin e institucionit të të miturve në Mëzes do të zhvillohet muajin tjetër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *