15 Qershor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Hekurudha e Kombit/ Durrës-Prishtinë, detajet e projektit 700 milionë euro që do mbështetet nga Britania

Ndërsa Britania e Madhe do të ofrojë mbështetje për projektin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, Shqipëria dhe Kosova kanë deklaruar kjo linjë përfaqëson një projekt strategjik shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Projekti nis me portin e ri të Durrësit, që do të ndërtohet në Porto Romano dhe do të ketë si pikë fundore portin e thatë në Prishtinë.

Në vitin 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor, i cili u finalizua në mbledhjen e të dy qeverive në Prishtinë, në 20 Qershor 2022, që i hapi rrugë zbatimit të projektit.

Në nëntor të vitit që shkoi Hekurudha Shqiptare shpalli konsorciumin fitues, që do të hartojë studimin e fizibilitetit, që do të shërbejë më pas për tenderimin dhe zbatimin e projektit. Bashkimi i dy operatorëve “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K. që u shpallën fitues kanë afat deri në fund të këtij viti për të bërë studimin dhe për të ndërtuar projekt idenë e hekurudhës ku një nga pikat është edhe identifikimi i gjurmës ku do të kalojë ajo.

Afati për përfundimin e dokumentit është 14 muaj nga nënshkrimi i kontratës, çka do të thotë se ai do të mund të dorëzohet gjatë vitit 2025.

Kosto 700 milionë euro
Varianti i paralajmëruar në fillim të vitit nga kryeministri Edi Rama e që është mbështetur nga ministri i Kosovës Liburn Aliu, parashikon që hekurudha të kalojë nga Durrësi, në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë.

Nëse vihet në zbatim ky projekt, me itinerar nga Shkodra, Hekurudha Durrës-Prishtinë, do të jetë pjesërisht e ndërtuar. Do të bëhet vetëm pjesa Durrës-Vorë, ndërsa linja nga Vora deri në Shkodër (Vorë, Laç, Lezhë, Mjedë, Shkodër-Hani i Hotit) do jetë e ndërtuar si pjesë e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit e cila kalon për në Mali të Zi, dhe mbetet për t’u ndërtuar vetëm linja nga Shkodra drejtë Gjakovës për të përfunduar në Prishtinë.

Një zgjidhje e tillë mund të ulte edhe kostot për ndërtimin e gjithë projektit, i cili nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është thënë se ndërtimi i hekurudhës kushton 700 milionë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *