14 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit/ BERZH lidh kontratën me kompaninë që do të bëjë projektin

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka lidhur kontratën me kompaninë që do të përgatisë projektin dhe do të rishikojë dizajnin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit. Tenderi ishte shpallur në dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që fitues i kontratës me vlerë 2.87 mln euro është shpallur kompania italiane IRD Engineering. Kontrata përfshin dhe dhënien e asistencës për procedurat e prokurimit që do të kryhen në kuadër të zhvillimit të këtij projekti hekurudhor.

Punimet për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit do të nisin në vitin 2025, teksa punimet kryesore do të përfshijë modernizimin e rreth 120 km rrugë të përhershme midis Vorës dhe Hanit të Hotit për të arritur shpejtësi maksimale operimi 100–120 km/orë.

Punimet do të përfshijnë zgjerim deri në 6.6 m dhe forcim të formacionit, zëvendësim ose rehabilitim të rreth 12 urave kryesore, plus urave dhe kanaleve të tjera të vogla, si dhe zgjerim dhe modernizim të tunelit të Lezhës. Po ashtu, do të kryhet ndërrimi i superstrukturës, si dhe ndërtimi, zëvendësimi ose rehabilitimi i rreth 13 stacioneve.

Kosto totale për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit është 368 milionë euro dhe bashkëfinancohet me kredi të dhëna nga Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, një granti të Bashkimit Evropian dhe qeverisë shqiptare që do të mbulojë koston e çdo zhvendosjeje të tokës, risistemimin, dhe taksat e nevojshme për të finalizuar projektin.

Scan.tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *