14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Hidrokarburet dhe tekstilet fundosin eksportet

Eksportet e kanë nisur vitin 2024 me rënie tregojnë të dhënat më të fundit nga “Instituti i Statistikave”. Në janar të vitit 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 29 mld lekë, duke u ulur me 29.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 20.7%, në krahasim me dhjetorin e vitit 2023. Nga ana tjetër, importet kanë shënuar rritje me 3.4% duke arritur në 60 mld lekë dhe kanë rënë me me 17.3%, në krahasim me dhjetorin e vitit që lamë pas. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 30 mld lekë, duke u rritur me 88.6%, krahasuar me janarin e vitit 2023.

Gjatë muajit janar të këtij viti, në rënien e eksporteve prej 29.2%, kanë ndikuar kryesisht grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 19.5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 5.0 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.8 pikë përqindje. Ndërkohë, pozitivisht kanë ndikuar grupet “Produkte kimike dhe plastike” me 0.3 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 0.1 pikë përqindje.

Po të flasim për grupet që kanë kontribuar në rritjen e importeve të dhënat tregojnë se pozitivisht kanë ndikuar kryesisht grupet “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 4.7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 2.9 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me 0.2 pikë përqindje. Nga ana tjetër, në uljen e importeve kanë ndikuar kryesisht grupet “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 3.0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 1.0 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me 0.3 pikë përqindje.

Në muajin janar të vitit aktual vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe në drejtim të eksporteve, në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar janë Italia me 7.6%, Kosova me 20.1% dhe Gjermania me 34.7%. Ndërkohë vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe janë Kroacia me 59.3% dhe Austria me 17.6%.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *