30 Maj, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Himara drejt betonizimit total/ Jorgo Goro ndryshon planin rregullues për t’i hapur rrugë ndërtimeve të oligarkëve

Në 30 tetor Këshilli Bashkiak i Himarës zhvilloi një mbledhje me axhendë të ngjeshur, por edhe me jo pak tensione. Pika më e rëndësishme e rendit të ditës, ishte një nismë e propozuar nga kryetari i Bashkisë Jorgo Goro për rishikimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Himarës.

Në relacionin shoqërues të projektvendimit, që iu paraqit Këshillit, Bashkia Himarë e justifikonte nevojën e rishikimit të planit rregullues me kërkesat e ardhura nga qytetarët, por jo vetëm.

“Arsyet për ndërmarrjen e kësaj nisme lidhen me nevojën e bashkisë për përgjigjen e 132 kërkesave të interesit nga banorët dhe bizneset si dhe kërkesave të ardhura nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit në kuadrin e përmirësimit të shërbimeve në zonën me rëndësi kombëtare si dhe investimeve strategjike,” thuhet në relacion.

Rishikimi i planit vendor nuk është asgjë tjetër vetëm betonizim i mëtejshëm i bregdetit. Zonat, të cilat plani aktual i ka shpallur si të gjelbërta ku nuk lejohet ndërtimi, me planin e ri ndryshohen në toka për ndërtim, ku do të hidhet betoni strategjik i oligarkisë.

Justifikimi i rremë i banorëve

Edhe pse bashkia e Himarës përpiqet që ta justifikojë ndryshimin e planit edhe me kërkesat e ardhura nga banorët për ndërtim, në fakt ky duket një mashtrim. Qytetarët e Himarës e kanë të pamundur të ndërtojnë për shkak se në këtë zonë janë bllokuar prej kohësh certifikatat e pronësisë së tokës.

Të vetmit që arrijnë t’a ccajnë këtë bllokadë janë oligarkët dhe biznesmenët e fuqishëm të investimeve strategjike, të cilët ngrenë resortet në bregdet. Dhe në mes të rreshtave këtë e pranon qartë edhe vetë Bashkia e Himarës.

“Rishikimi vjen edhe si nevojë e përshtatjes së Planit të Përgjithshëm Vendor me kërkesat aktuale të zhvillimit të turizmit si dhe fokusimin në zhvillimin ekonomik të zonës,” vijon relacioni i projektvendimit.

Mbledhje me tension

Diskutimi i kësaj nisme u shoqërua me tensione në Këshillin Bashkiak të Himarës. Këshilltarët e opozitës akuzuan se pas ndryshimit të planit qëndronin interesat e oligarkëve.

“E dini kush përfiton nga kjo? Përfitojnë të gjithë ata që kanë certifikatat. Kush janë këta? Mafiozët. Më thoni mua në zonën 3, kush ka certifikata nga banorët? Asnjë. I kanë bllokuar. Dhe për kë po e bëjmë ne këtë? Për ata 5 që na vijnë nga andej dhe na marrin pronat? Për ata po bëhet kjo,” tha Timoleo Gërdhuqi i kolacionit Bashkë Fitojmë.

Pas debateve në Këshill, projektvendimi u miratua vetëm me votat e këshilltarëvë të Partisë Socialiste. Kryetari me dy emra i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i marrë nën hetim nga SPAK për tjetërsimin e pronave në bregdet, realizoi dhe misionin e fundit për betonizimin total të Himarës.

Ndoshta kjo ishte dhe arsyeja se pse Fredi Beleri u palos në burg dhe Goro u mbajt kryetar edhe pse qytetarët kanë votuar për ta shkarkuar nga detyra. Tashmë ai e kreu misionin për t’ia lëshuar të gjithë bregdetin e Himarës oligarkëve strategjikë të Edi Ramës. Dhe tani SPAKU mund të veprojë lirshëm se nuk prish më punë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *