Një pjesë e industrisë së hotelerisë në Sarandë ka firmosur këtë të enjte një peticion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Turizmit, në lidhje me aktin normativ me nr. 8 datë 28.12.2023.
Qëllimi i këtij akti normativ është trajtimi i ujërave të ndotura nëpërmjet instalimit të sistemit grumbullues, dhe largimi i ujërave të zeza nga vetë subjektet.
“Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur sot si komunitet i industrisë së turizmit, bëhet fjalë për nenin 6 i cili duhet të sqarohet për faktin se një ligj i ri i cili kërkon dhe imponon subjektet që janë afër detit dhe nuk kanë aksesi në kanalizimet e ujërave të zeza, imponon instalimin e një strukture, e cila thuhet se kushton shumë.
Dhe është një projekt që është absolutisht i papërmbajtshëm për subjektet. Kjo është gjithmonë e pranueshme në rastet kur strukturat dhe subjektet akomoduese nuk kanë akses në linjën e kanalizimeve”, tha Arben Çipa, kreu i shoqatës së operatorëve turistikë.
Por nuk sqaron se cilat kategori preken nga ky ligj.
Me një shkresë drejtuar Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, Çipa thotë se industria e turizmit në Sarandë do ta çojë çështjen në gjykatë nëse nuk shqyrtohet akti normativ dhe nuk sqarohet se cilat subjekte do të preken nga uzinat e ujërave të zeza.
“Në rast se ne si komunitet do të duhet t’i drejtohemi Gjykatës, kjo do të bëhet në rast se nuk ndryshohet diçka në këtë akt normativ. Peticioni i sotëm është kundërshtimi i këtij akti dhe nëse kjo nuk do të merret për bazë, atëherë i gjithë komuniteti do t’i drejtohet Gjykatës”, shtoi Çipa.
Ky akt normativ ka sjellë pakënaqësi në radhët e hotelierëve vetëm pak javë para se Saranda dhe Ksamili të kthehen në kryefjalë të turizmit në vend.