6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Ikin maltezët/ Qeveria bën gati koncesion qindra milionë euro në Portin e Durrësit

Qeveria do të japë sërish me koncesion terminalin e kontenierëve në Portin e Durrësit. Pas eksperiencës së hidhur me Kurum dhe kontratës tranzitore me maltezët e Hili Company, qeveria ka vendosur që ta japë sërish me koncesion menaxhimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit.

Kapitali ka mësuar se ministria e Infrastrukturës ka ngritur grupin e posaçëm të punës, që do të përgatisë dhënien me koncesion të shërbimit. Në këtë grup ka anëtarë nga ministria dhe Autoriteti Portual i Durrësit. Madje, burime i thanë Kapitalit se këtë të mërkurë, grupi i punës ka zhvilluar mbledhjen e radhës.

Koncesion qindra milionë euro
Menaxhimi i terminalit të kontenierëve u dha për herë të parë me koncesion në vitin 2011 nga ish qeveria e Sali Berishës. Në atë kohë qeveria përzgjodhi kompaninë turke Kurum si fituese të koncesionit me afat 35 vjeçar. Zyrtarisht koncesioni u bë efektiv në vitin 2013. Kurum e shfrytëzoi koncesionin për Por Kurum nuk e gëzoi dot të gjithë kontratën.

Në vitin 2019 qeveria e përfundoi koncesionin me argumentin se Kurum nuk kishte përmbushur detyrimet e kontratës. Cështja shkoi në arbitrazh dhe qeveria e fitoi gjyqin.

Pas largimit të Kurum, në vitin 2021, ministria e Infrastrukturës zhvilloi një tender me vlerë 37 milionë euro për dhënien e shërbimit sërish tek një privat, këtë herë për afat 5 vjet. Tenderi u fitua nga kompania malteze, Hili Company, e cila që nga ajo kohë ka kryer shërbimin e ngarkim shkarkimit të kontenierëve në terminalin e Portit të Durrësit.

Por kontrata me kompaninë malteze përfundon në fillim të vitit të ardhshëm. Burime i thanë Kapitalit se qeveria ka vendosur të mos e rinovojë kontratën me kompaninë malteze, por në vend të kësaj ka zgjedhur ta japë sërish me koncesion terminalin e kontenierëve.

Grupi i posaçëm i punës i ngritur për këtë qëllim do të përpilojë raportin përkatës ku do të bëjë rekomandimet mbi formën e koncesionit dhe afatet e tij.

Biznes qindra milionë euro
Kompania koncesionare e ngritur nga Kurum, Durrës Container Terminal, arkëtonte mesatisht 12 milionë euro në vit, nga koncesioni i terminalit të kontenierëve. Kurum e pati koncesionin për periudhën 2013-2019. Tashmë vëllimi i mallrave që qarkullojnë përmes portit është edhe më i madh, rrjedhimisht edhe biznesi i koncesionit.

Kapitali ka mësuar se koncesioni i ri do të ketë fuqi edhe në portin e ri që qeveria do të ndërtojë në Porto Romano. Kjo e bën atë një biznes me vlerë qindra milionë euro. Tashmë mbetet për t’u mësuar vetëm fituesi, ndonëse ai nuk do të jetë dhe shumë suprizë. Një linjë mes Tiranës dhe Kroacisë, pritet të shtierë në dorë koncesionin e ri. Një linjë kjo që kaloi më parë në një tjetër koncesion. Atë të terminalit lindor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *