6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Inceneratorët, SPAK mësyn në Ujësjellësin e Korçës

Hetimi për inceneratorët dhe personat e përfshirë, kompanitë e tyre, ka shkuar deri në qelizat e fundit dhe në hetime të shtrira në afate kohore edhe më shumë se 10 vite.

Burime zyrtare i thanë CNA se SPAK tashmë ka zbarkur në Ujësjellësin famoz të Korçës që ka në krye Petrit Taren, njeriun që e drejton këtë institucion më shumë se 30 vite.

Burimet i konfirmuan CNA se prokurorët e SPAK nëpërmjet disa shkresave kanë kërkuar informacion të plotë në lidhje me marrëdhënien e Ujësjellësit të Korçës me kompaninë “ITS” (Integrated Technology Services) të Klodian Zotos.

Fillimisht në lidhje me një skandal atë të matësave të ujit për të cilin CNA ka raportuar vite më parë si një aferë që iu ka kushtuar qytetarëve të Korçës rreth 5 milionë euro, për matësa uji që bliheshin në Kinë me 20 dollarë dhe shiteshin në Shqipëri me 120 euro.

Marrëdhënia e kompanisë “ITS” të Klodian Zotos, njeriut të inceneratorëve ka shkuar tek Ujësjellësi i Korçës edhe për çështjen e impiantit fotovoltaik të vendosur tek impianti i pastrimit të ujërave të zeza në qytetin e Korçës. Edhe ky i fundit i ndërtuar nga “ITS” e Klodian Zotos.

Sot është konfirmuar zyrtarisht se hetimet për kompanitë e Zotos, njeriun e aferës së inceneratorit, i cili në bashkëpunim me Mirel Mërtirin dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, kanë krijuar një skemë 178 milionë euro për inceneratorë që nuk punojnë dhe nuk ekzistojnë, tashmë ka marrë drejtim që në themelet e saj, që nga krijimi i kompanisë, punët e para të saj dhe deri me marrëdhëniet me Ujësjellësat në Korçë, në Berat në Fier, në Lushnjë, por edhe në Bashkinë e Tiranës.

Kjo pasi SPAK dyshon se janë siguruar rreth 20 milionë euro të ardhura nga matësat e ujit, nëpërmjet influencës, ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit.

CNA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *