15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Individët që japin dhoma me qira nuk do të tatohen

Individët që japin dhoma me qira nuk do të regjistrohen si biznes. Ky është propozimi i fundit i qeverisë, i cili ndryshon variantin fillestar në projektligjin e turizmit, ku thuhej se kushdo që jepte me qira një dhomë, apartament apo vilë nëpërmjet platformave AirBnB ose Booking për qëllime turistike, duhej të regjistrohej si biznes në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ministria e Financave e propozoi këtë lehtësi në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, me argumentin se ofrohet aktivitet sezonal, vetëm 2-3 muaj gjatë verës ose një periudhë gjatë festave të Krishtlindjeve.

Me këtë ndryshim, tashmë vetëm sipërmarrësit që kanë blloqe apartamentesh, “struktura akomoduese të trashëgimisë kulturore” dhe “hotele të shpërndara” të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik do të kenë detyrimin të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Individët apo qytetarët që i përkasin kësaj kategorie do të duhet të pajisen nga Ministria e Turizmit një certifikatë kategorizimi sipas standardeve të dhomës, apartamentit apo vilës.

Drafti parashikon që nëse këta shtetas marrin pronën me qira pa marrë certifikatën dhe klasifikimin, do të gjobiten me 20-50 mijë lekë. Në këtë kategori përfshihen kryesisht familjet që nuk ushtrojnë aktivitet turistik gjatë gjithë vitit, por u japin me qira një pronë pushuesve vetëm në sezonin e verës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *