21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Inflacioni shndërrohet në bekim për bankat, fitimet për 9 mujorin rriten me 95 mln euro

Fitimet e sektorit bankar u rritën me plot 10 miliardë lekë (95 mln euro) për 9 mujorin e këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se për periudhën Janar-Shtator 2023 bankat shqiptare fituan në total 22.7 miliardë lekë neto pas taksave nga 12.7 miliardë lekë që ishte fitimi neto në 9 mujorin e vitit të kaluar.

Të dhënat sugjerojnë se për vitin e plotë 2023, fitimi neto i sektorit bankar do të tejlakojë nivelin e 30 miliardë lekëve çka përbën rekordin e ri historik për tregun shqiptar.

Zhvillimet ekonomike të tre viteve të fundit kanë rezultuar në bekim për industrinë bankare. Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë për të përballur valën e rritjes së çmimeve, ka krijuar një situatë të favorshme për bankat.

Kjo pasi shtrëngimi i politikës monetare është përcjellë thuajse e plotë në rritjen e ineteresave që bankat arkëtojnë nga dhënia e kredive, ndërkohë që ato të cilat paguajnë për depozitat kanë mbetur në nivelet minimale të kohës së lehtësimit monetar që diktoi pandemia.

Kjo ka rritur marzhin e të ardhurave neto nga interesi (diferenca mes të ardhurave nga interesi i kredive dhe shpenzimeve për interesin e depozitave).

Të ardhurat neto nga interesi për 9 mujorin e këtij viti arritën në 50.89 miliardë lekë nga 38.4 miliardë lekë që ishin për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shtrëngimi i mëtejshëm i politikës monetare, përmes rritjes së normës së interesit që Banka e Shqipërisë ndërmorri javën e kaluar pritet të sjellë më shumë fitime në arkat e bankave, teksa tendenca e përgjithshme është që rritja e normës bazë të përcillet menjëherë në segmentin e kredisë, por jo atë të depozitave.

Për këtë arsye disa ekspertë e shohin me skepticizëm rritjen e normës bazë të interesit, efektet e të cilës në uljen e inflacionit mbeten të diskutueshme për shkak të eurozimit të lartë të ekonomisë, ndërkohë që më të qarta janë efektet direkte në rritjen e fitimit të bankave.

Të dhënat sugjerojnë se tre vitet e fundit kanë qenë një periudhë e artë, ku bankat kanë korrur para duke fituar shumë më teper nga detyrimet e tyre për të shtuar kapital sipas kërkesave rregullatore që dikton Banka e Shqipërisë. Dhe kjo situatë duket se do të vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *