INFOTelecom EPC, pjesë e Gjonaj Group Holdings, ka nënshkruar një Marrëveshje Ekskluzive Bashkëpunimi me Tongwei Solar, që do të revolucionarizojë fushën e energjisë diellore në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Infotelecom përfaqëson tashmë në mënyrë ekskluzive Tongwei Solar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Marrëveshja u firmos gjatë “Intersolar Europe 2025” në Mynih të Gjermanisë – një nga panairet më të mëdha dhe me ndikim në botë për energjinë e rinovueshme.
Tongwei Solar, pjesë e listës ndërkombëtare Fortune Global 500, është sot prodhuesi më i madh në botë i qelizave solare dhe një pionier në teknologjinë e moduleve fotovoltaike.
Përkushtimi i tyre ndaj cilësisë dhe inovacionit përputhet me misionin e INFOTelecom EPC: ofrimi i shërbimeve EPC në të gjitha fazat (Engineering, Procurement, and Construction), pra ndërtimit nga zero deri në fazën finale dhe dorëzimit të projekteve të çdo niveli në fushën e energjisë diellore për investitorët, institucionet dhe individët e interesuar.
Infotelecom EPC shënon tashmë një eksperiencë me mbi 400 MW të ndërtuara në rajon për kompani të tjera, si dhe investime të Gjonaj Group Holdings në Shqipëri, Kosovë dhe Bullgari mbi 200 MW në parqe solare. Ky partneritet ekskluziv forcon bashkëpunimin mes INFOTelecom dhe Tongwei në disa drejtime kyçe:
• Ofrimi ekskluziv i paneleve diellore dhe produkteve të tjera të Tongwei me efikasitet të lartë në katër vende të Ballkanit Perëndimor;
• Çmimet më të mira për produktet;
• Zhvillimi dhe zbatimi i përbashkët i projekteve fotovoltaike në shkallë industriale;
• Promovimi i zgjidhjeve të përballueshme për energji të pastër për familje dhe biznese;
• Shkëmbim njohurish teknike dhe integrim të teknologjive të avancuara.
Është hera e parë në vendin tonë që konkretizohet një bashkëpunim i tillë ekskluziv strategjik me një lider botëror në fushën e energjisë diellore siç është Tongwei Solar.