5 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Inspektorë të rreme tatimesh mbledhin rryshfete nga bizneset, Tatimet detyrohen të nxjerrin reagim zyrtar

Korrupsioni në Shqipëri është aq shumë i përhapur sa që mjafton të shtiresh si zyrtar i shtetit dhe mund të marrësh rryshfete lehtësisht. Pas skemës së mashtrimit të biznesmenëve me mesazhe, që gjoja dërgoheshin nga ministra dhe kryetarë bashkish, tashmë ka lulëzuar një skemë tjetër me Tatimet. 

Individë pa asnjë lidhje me administratën tatimore paraqiten pranë bizneseve duke u hequr si inspektorë tatimesh dhe pas presioneve për kontrolle marrin rryshfete. Fenomeni është aq masiv, sa që e detyroi Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të lëshojë një njoftim zyrtar për këtë ccështje.

“Duke qenë se kjo periudhë shënon pikun e sezonit turistik, Administrata Tatimore i kërkon Tatimpaguesve të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj individëve, të cilët prezantohen pranë subjekteve të tyre si inspektorë tatimorë,” thuhet në njoftimin e Tatimeve.

Sipas tyre, bizneset duhet t’i identifikojnë inspektorët e tatimeve përmes dokumentit identifikues si dhe të kërkojnë nga ta urdhrin e kontrollit.

“Punonjësit e Administratës Tatimore ushtrojnë detyrat e tyre funksionale, në zbatim të legjislacionit tatimor në fuqi, duke u identifikuar në subjekte me elementet dalluese,” thonë Tatimet. Këto elementë janë si më poshtë:
Badge identifikues (Emer/Mbiemër/Foto/Pozicioni i punës/Emërtimi i Drejtorisë)
Urdhri i punës i firmosur nga drejtuesi i Drejtorisë përkatëse
Uniformat dalluese me mbishkrimin: Administrata Tatimore.

Administrata tatimore ka inkurajuar bizneset që të mos hezitojnë për të denoncuar çdo përballje me persona të dyshimtë, që nuk disponojnë elementet e mësipërm, në kanalet zyrtare të komunikimit të Administratës Tatimore.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *