14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

INSTAT: Rritja e çmimeve dërrmoi familjet, ulën konsumin me 2.2%

Instituti i Statistikave pranoi zyrtarisht se rritja e çmimeve dërrmoi buxhetet e familjeve shqiptare, të cilat kanë shtrënguan rripin duke konsumuar më pak. Sipas INSTAT, gjatë vitit të kaluar një familje shqiptare me 3.7 anëtarë shpenzoi mesatarisht 88 367 lekë në muaj ose 4.5 për qind më shumë në vlerë se sa në vitin 2021.

Por edhe pse në vlerë shpenzimet ishin më të larta, në terma realë familjet shqiptare kanë konsumuar më pak se sa në vitin 2021. Sipas INSTAT, në vitin 2022 inflacioni mesatar i shqipërisë, rezultoi 6.7 për qind më, më i larti në 24 vitet e fundit.

Kjo do të thotë se konsumi real i familjeve shqiptare gjatë vitit të kaluar u ul me 2.2 për qind. E thënë ndryshe, familjet kanë konsumuar 2.2 për qind më pak të mira dhe shërbime se sa në vitin 2021.

Viti i kaluar regjistroi një dallgë të fuqishme në rritjen e kostos së jetesës për familjet shqiptare që u amplifikua nga lufta në Ukrainë. Për produktet bazë të konsumit, veçanërisht ushqimet, rritja e çmimeve ishte dyshifrore duke goditur rëndë buxhetet familjare, veçanërisht ato me të ardhura të pakta.

Pabarazi rajonale

Edhe pse mesatarisht një familje shqiptare shpenzoi 88 mijë e 367 lekë në muaj gjatë vitit të kaluar, konsumi nuk ka qenë uniform, por me pabarazi të theksuar mes qarqeve të ndryshme të vendit.

Në Tiranë, qarku me të ardhurat më të larta në Shqipëri, një familje shpenzoi mesatarisht 104 mijë e 426 lekë në muaj për konsum. Por në ekstremin tjetër të shpërndarjes së konsumit sipas qarqeve, në qarkun e Dibrës, një familje shpenzoi vetëm 72 mijë e 724 lekë në muaj për konsum. Pra 31 për qind më pak se në Tiranë.

Megjithatë sipas INSTAT, pjesa më e madhe e familjeve shqiptare kanë një konsum mujor, i cili varion nga 80-85 mijë lekë në muaj.

Konsum mbijetese

Të dhënat e detajuara të INSTAT tregojnë se për shkak të të ardhurave të pakta, familjet shqiptare kanë një konsum mbijetese, i cili përqëndrohet kryesisht në mallrat e domosdoshme. Kjo konfirmohet nga pesha e lartë që zënë në buxhetin mujor, shpenzimet për ushqime.

Sipas INSTAT, në vitin 2022 familjet shqiptare shpenzuan 39.7 për qind të buxhetit vetëm për ushqime dhe pijë jo alkoolike. Edhe pse krahasuar me vitin 2021, pesha e ushqimeve është ulur me 1.6 pikë përqindje, sërish ajo mbetet disa fish më e lartë se sa vendet e zhvilluara. Në Bashkimin Europian një familje shpenzon mesatarisht 14.3 për qind të buxhetit mujor për ushqime dhe pije.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *