14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

INVESTIGIMI/ AKU bllokon 383 kg prodhime bulmeti. Probleme me etiketat, produkti u hodh në treg

Nga Gazeta Korrieri

Gazeta Korrieri mësoi në muajin korrik se AKU kishte bërë më herët një mori inspektimesh nëpër stabilimentet e prodhimit dhe përpunimit të qumështit duke bllokuar dhjetëra kuintal produkte si djath, gjizë, gjalp, etj., ndërkohë që kishte vendosur gjoba deri në miliona lekë për subjekte të caktuara, një situatë kjo që do të alarmonte çdo redaksi në botë.

Gjobitja me 1 milionë lekë apo 5 milionë lekë e një prodhuesi qumështi është një sinjal alarmi për këdo që thotë se i shërben interesit publik.

Nga burimet tona mësuam se pjesë e këtyre inspektimeve kishin qenë edhe stabilimentet më të mëdha të prodhimit dhe përpunimit të qumështit siç janë “Lufra”; “Erzeni”; “Gjirofarm”; “Mireli”; “Ajka (Delta Doni) ; “Klegen”, “Shaka Boboshticë”, “Feaksi”, etj. 

Gazeta Korrieri ka të dhëna të plota për secilin inspektim në këto prodhues si edhe të tjerë më të vegjël, por le ti marrim me radhë. 

AKU bllokon 3.8 kuintal djathë te “Erzeni” shpk dhe e gjobit me 50 mijë lekë të reja gjobë. Inspektimi ndodhi në korrik të këtij viti dhe inspektorët e AKU-së sipas procesverbalit që ka siguruar Gazeta Korrieri i kanë kërkuar kompanisë që ta mbajë të bllokuar produktin deri në daljen e analizave se në to nuk ka përmbajtje të vajit të palmës dhe të niseshtëse. 

Më vonë, siç mëson redaksia produkti është lejuar të hidhet në treg dhe tashmë është konsumuar nga konsumatorët. 

Gazeta Korrieri kontaktoi me kompaninë “Erzeni” shpk, të cilët në një reagim për GK pranuan inspektimin nga AKU dhe gjobën duke dhënë shpjegimet e tyre, duke theksuar “se bllokimi i 384 kg djath nuk kishte ardhur për shkak të ndonjë problemi me cilësinë, por se ashtu është procedura e inspektimeve, e cila në rast të bërjes së analizave, bën të detyrueshme mbajtjen e produktit në magazinë deri në një vendim të dytë”. 

Përgjigja e “Erzeni” shpk:

Procedura e marrjes se mostrave është bërë sipas “parashikimeve ligjore”, pra është bllokuar ajo sasi deri nëardhjen e përgjigjes së analizave. Pra nuk është marrë mase gjobë për produkte të bllokuara dhe për prani tëlëndeve të dëmshme në produkte.

Ne e pyetëm kompaninë “Erzeni” shpk për shkakun e gjobës 50 000 lekë të reja të vënë nga AKU, por nuk morën përgjigje për këtë pyetje deri në publikimin e këtij materiali. 

Duke mos marrë përgjigje nga kompania “Erzeni” shpk për shkakun e gjobës, gjatë investigimit tonë iu drejtuam edhe AKU -Berat, e cila ka kryer inspektimin, nga të cilët mësuam se gjoba ndaj “Erzeni” shpk është vendosur për shkak të problemeve në etiketa me paraqitjen e përmbajtjes së produkteve. 

Drejtoria Rajonale e AKU-së, qarku Berat, sqaron se, bllokimi i nënprodukteve të qumështit është kryer për arsye mostrimi.

Janë marrë mostra për analizim dhe deri në dalje të përgjigjeve të analizave komform legjislacionit në fuqi bëhet bllokimi në ambientet e subjektit.

Masa administrative me “gjobë” është vendosur për mangësi në elementë në etiketimin e produktit  të cilat nuk ishin pasqyruar të renditura sipas VKM-së 434, datë 11.8.2018 “Për  etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”, thekson AKU Berat për Gazeta Korrieri. 

Analizat e dyshimta të AKU-së: Bëhen në Maqedoni

AKU-së i dalin të rregullta analizat përherë kur bllokon sasi të mëdha produktesh bulmeti te stabilimentet prodhuese. Në media ka patur vazhdimisht raportime për një skemë të mirëfilltë korrupsioni. 

Madje, siç konstaton edhe Gazeta Korrieri, kjo skemë e denoncuar më herët në media, promovohet edhe nga ligji për inspektimin. Ligji thotë se inspektori mund të bllokojë menjëherë një produkt apo sasi produktesh dhe të lejojë çlirimin e tyre dhe hedhjen në treg pasi analizat të konfirmojnë se janë të konsumueshme!

Dhe këtu nis momenti kur AKU-së i dalin në rregull analizat(!), por investigimet e mëparshme kanë treguar një mospërputhje të madhe mes analizave të AKU-së dhe analizave të bërë nga laboratorë të pavarur. 

Gazeta Korrieri mëson përmes burimeve në AKU se analizat bëhen në një laborator në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se thuhet rëndom “bëhen jashtë shtetit”. Burimet bëjnë me dije se analizat e produkteve të bllokuara nga AKU gjatë kësaj vere, të cilat janë hedhur më pas në treg dhe janë ngrënë tashmë nga konsumatorët, janë firmosur nga një qytetar me origjinë shqiptare në Shkup. 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *