5 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Investim 40 milionë euro për të rigjallëruar fabrikat e armëve të Enver Hoxhës

Shqipëria synon të kthehet në një aktor konkurrues në tregun ndërkombëtar të prodhimit ushtarak. Kjo ishte një prej pikave të diskutimit në Komisionin për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku në rend të ditës ishte projektligji për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, u shpreh se shteti do të bashkëpunojë me subjekte private për të përballuar koston e lartë fillestare prej afërsisht 30-40 milionë eurosh të ringritjes së industrisë ushtarake.

“95 milionë lekë do të nevojiten vetëm për krijimin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes, ndërkohë që investimi fillestar për ringritjen e industrisë ushtarake është rreth 30-40 milionë euro.”

Por çfarë do të prodhojë konkretisht Shqipëria?

Tola deklaroi se fillimisht do të prodhohen elemente bazike të armatimit ushtarak, si municione, teksa theksoi që parësore është të plotësohen nevojat e vendit tonë për armë dhe pastaj të kalohet në tregun ndërkombëtar.

Që nga publikimi i tij për konsultim publik, në projektligj janë bërë disa ndryshime lidhur me lehtësirat fiskale të kompanive që do të merren me prodhimin e armëve në Shqipëri. Kështu, nga zero që parashikohej tatim-fitimi në 10 vitet e para të aktivitetit të kompanisë, tashmë është vendosur që tatimi për fitimin të jetë 5% në 5 vitet e para. Zgjerimi i industrisë ushtarake vjen si kërkesë e NATO-s, në një kohë ku situata aktuale gjeopolitike ka shtyrë shumë vende të Evropës që të investojnë në fuqizimin e kësaj industrie.

Scan tv

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *