15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Investimet e Huaja “rendin” pas pasurive të paluajtshme

Sektori i pasurive të paluajtshme është më tërheqësi në optikën e investitorëve, pasi po njeh një rritje të “frikshme” të investimeve. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se nga totali prej rreth 1.5 miliardë euro i fluksit të Investimeve të Huaja Direkte gjatë 2023-shit në Shqipëri, afro 21.7 për qind e zënë aktivitetet e pasurive të paluajtshme.

Thënë ndryshe, vitin që lamë pas ky sektor zë vendin e parë për nga përqendrimi i investimeve të huaja direkte në raport me sektorët e tjerë të ekonomisë, duke u regjistruar në një vlerë prej 325 milionë eurosh. Nëse do të krahasojmë me vitin 2022, rritja e fluksit të investimeve në aktivitete të pasurive të paluajtshme fiksohet në 34 milionë euro.

Në vendin e dytë për nga fluksi i investimeve të huaja direkte, renditet industria nxjerrëse, me një shifër prej 270 milionë eurosh në 2023-shin, duke regjistruar një rritje modeste në raport me një vit më parë.

Aktivitetet financiare dhe të sigurimit vijojnë renditjen me një fluks investimesh në nivelin e 239 milionë eurove, me një rritje prej afro 48 për qind kahasimisht me një vit më parë.

Po ashtu një fluks të konsiderueshëm të përqendrimit të Investimeve të Huaja Direkte kanë edhe sektorët e energjisë elektrike, gazit, dhe furnizimit me ujë me 159 milionë euro por me një rënie prej 16 milionë eurosh në krahasim me një vit më parë; Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motorcikletave 125 milionë euro ; Industria përpunuese me afro 124 milionë euro, edhe pse shënon një renie prej 22 milionë eurosh nga 2022,-shi dhe shërbime administrative dhe mbështetëse 55 milionë euro. Ndërsa ka sektorë që duket se nuk kanë interes në këtë drejtim, siç është bujqësia; Arte, argëtim dhe çlodhje; shëndeti dhe aktivitete të punës sociale.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *