14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Italia e Jugut lëshon alarmin; Shqipëria po na merr turistët

Që Pulia po sheh gjithmonë e me më shumë interes turizmin luksoz, kjo nuk është ndonjë gjë e re. Vito Vergine – pronar i plazhit Maldive del Salento në Pescoluse dhe president i bashkimit bregdetar italian të Lecce – tha se rritja e çmimeve në rajon ka pikërisht këtë objektiv: të përzgjedhë klientët. Një strategji e cila megjithatë ka prodhuar një efekt anësor domethënës: ikjen e turistëve italianë jashtë vendit.

Gazeta La Repubblica ka mbledhur disa të dhëna për trendin e flukseve turistike në Pulia. Prej një jave udhëtimet detare Bari-Durrës janë dyfishuar dhe një e katërta e pasagjerëve janë italianë. Për muajin korrik, drejtuesit e plazheve në Pulia kanë raportuar një rënie të frekuentimit prej 20%. Një shifër e cila balancohet nga numri gjithnjë në rritje i nisjeve drejt Tunizisë, Shqipërisë, Greqisë, Detit të Kuq dhe Spanjës.

Ikje nga pushimet e shtrenjta
Dhe nëse porti i Barit në vitin 2023 regjistroi numrin më të madh të nisjeve në dhjetë vitet e fundit, plot 120 mijë pasagjerë, e njëjta gjë vlen edhe për linjat ajrore. Të dhënat nga aeroportet e Pulias tregojnë se numri i pasagjerëve të nisur drejt Shqipërisë u rrit me 58,06% në Korrik, krahasuar me vitin e kaluar.

Vetëm gjatë muajit të kaluar aeroportet e jugut të Italiasë raportuan 21,341 pasagjerë të nisur drejt Shqipërisë. Rritja e largimeve drejt Greqisë ka qenë më e moderuar, 11.34% krahasuar me vjet. Çmimet duket se shtyjnë shumë pulianë të kalojnë pushimet e tyre diku tjetër.

Në një intervistë me Corriere del Mezzogiorno, ministrja e Turizmit Daniela Santanchè komenton gjithashtu rënien e flukseve turistike në Pulia: «Modeli “godit dhe vrapo” nuk është parashikuar në planin tonë industrial, i cili përkundrazi është i fokusuar në një politikë që duhet të e bëjnë turizmin strukturor dhe tërheqës në çdo kohë të vitit. Është pikërisht mungesa e planifikimit adekuat dhe politikave largpamëse që çon në rezultate të luhatshme”. Në çdo rast, saktëson ministrja, “për të gjykuar tendencën e turizmit në Pulia, duhet të presim të dhënat përfundimtare që do të jenë në dispozicion në fund të vitit”.

Rritjen e çmimeve dhe uljen e frekuentimit të turistëve e konfirmoi edhe Francesco Caizzi, president i Federalberghi Puglia. “Rënia më e rëndësishme është regjistruar në zonat bregdetare si Salento dhe një pjesë e Gargano, atraksionet tona kryesore”, shpjegon ai në një intervistë për Repubblica.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *