Deputetët nismëtarë të draftit që i hap rrugë shkatërrimit të Zonave të Mbrojtura kanë pranuar që të rishikojnë propozimet e tyre, pas kundërshtive publike dhe presionit të shtuar të organizatave ambientaliste.
Vendimi i tërheqjes u njoftua në mbledhjen e komisionit parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, ku po mbahen dëgjesa me përfaqësues të organizatave mjedisore.
”Edhe ne vetë jemi të bindur tashmë që projektligji ka nevojë të rishikohet,” u shpreh kryetari i komisionit, Arben Pëllumbi, pasi dëgjoi argumentat e mjedisorëve, duke shtuar se drafti do të përpunohej.
Zoti Përllumbi pranoi se një nga nenet që duhej hequr ishte ai për dhënien në administrim të territoreve të Zonave të Mbrojtura pushtetit lokal, ccka ishte një nga propozimet kyçe të projektligjit, për të cilin u pretendua se ishte kërkuar nga kryebashkiakët socialistë.
“Unë nuk jam dakord për ndarje të territorit se besoj se dy entitete që kontrollojnë të njëjtën gjë i prishin punë njëri-tjetrit,” deklaroi Pëllumbi, duke shtuar se, gjithsesi ishte për gjetjen e një zgjidhje që të kishte edhe një përfitim për bashkitë nga këto zona.
Në seancë u bë me dije se komisioni po pret një “paketë amendimesh” nga ministria e Mjedisit dhe Pëllumbi garantoi organizatat se “do të tentohej një konsensus sa më i gjërë” gjatë ndryshimit të tij.
Edhe deputeti nismëtar, Fadil Nasufi, pranoi tërheqjen për rishikim të projektligjit, të cilin e cilësoi “draft bruto”, edhe pse ai është futur në kalendar për t’u votuar në seancën plenare të 15 shkurtit.
“Unë bie dakord që drafti ka defekte në teknikën legjislative dhe unë e kolegët jemi të hapur që të bëjmë reflektimet e duhura sipas rekomandimeve dhe qasjeve që kërkon ligji për të pasur unison me direktivat evropiane,” deklaroi Nasufi në mbyllje të dëgjesave.
Deputeti po ashtu pranoi tërheqjen nga nenet e kundërshtuara ashpër nga organizatat si; dhënia në menaxhim të këtyre zonave në duart e bashkive dhe eleminimin e kategorizimit të Zonave të Mbrojtura.
Ai këmbënguli se nisma nuk kishte pasur qëllim ndryshimin e thelbit të ligjit, një kritikë kjo e ngritur nga të gjithë ekspertët e mjedisit, por gjithsesi shtoi se, -“ligji duhet të përpunohet, të reflektojë shqetësimet e organizatave”. Nasufi pretendoi se kishte patur një “keqkuptim publik” për nismën dhe se nismëtarët ishin “damkosur me dashakeqësi”.