15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Jo vetëm llogaritë bosh/ Zoto dhe Mërtiri lanë 22 mln euro borxhe tek inceneratori i Tiranës

Zhdukja e dhjetra miliona eurove të ardhura të inceneratorit përmes transfertave dhe tërheqjeve cash nga pronarët e mëparshëm nuk është dëmi i vetëm financiar që iu bë shqiptarëve. Sepse ka dhe një anë tjetër. Është ajo e borxheve të lëna mbi kompanitë.

Kapitali.al ka mundur të shohë në gjykatë një raport mbi gjendjen financiare të kompanisë koncesionare Integrated Energy BV shpk në momentin e marrjes së saj në administrim shtetëror. Sipas raportit, në datën 31 korrik të këtij viti, Integrated Energy BV shpk kishte në total 2.2 miliardë ose rreth 21.5 milionë euro borxhe të prapambetura.

Më konkretisht, kompania rezulton se ka gati 10 milionë euro kredi nga bankat, 9.5 milionë euro të tjera  milionë kredi bankare, 962 milionë lekë të tjera detyrime ndaj furnitorëve dhe  mbi 2 milionë euro të tjera taksa të papaguara në formën e principalit.

Siç konstaton raporti, pronarët e mëparshëm të kompanisë, që sipas SPAK janë Zoto dhe Mërtiri kanë lënë pas tokën e djegur. Përveç zbrasjes së të gjitha llogarive të kompanisë, edhe miliona euro të tjera borxhe, që tani i ngarkohen shtetit dhe taksapaguesve shqiptar.

Paratë avulluan

Të dhënat zyrtare nga thesari i shtetit tregojnë se nga miratimi i koncesionit të inceneratorit të Tiranës deri në momentin e sekuestrimit nga SPAK, buxheti publik ka paguar gjithsej 6.6 miliardë lekë ose rreth 65 milionë euro për kompaninë Integrated Energy BV shpk.

Përtej të ardhurave të paguara nga taksat, kompania ka përfituar dhe dhjetra milionë euro të tjera nga dherat dhe inertet që depozitohen nga ndërtuesit duke e çuar shifrën totale në 100 milionë euro.  

Deri në marrjen në administrim shtetëror rezulton se kompania ka investuar në landfillin e Sharrës pak më shumë se 23 milionë euro. Ndërkohë që pjesa tjetër ka shkuar për shpenzime operative ose kanë avulluar.  

Në dosjen hetimore që dorëzoi pak ditë më parë në gjykatë, prokurorët e SPAK thonë se paratë janë transferuar jashtë përmes transaksioneve të dyshimta, por edhe përmes tërheqjeve cash duke u transportuar me çanta.

Aktualisht fati i koncesionit të inceneratorit mbetet në ajër. Kompania është e sekuestruar nga shteti, por pronësia e saj i mbetet aksionerëve privat deri në vendimin përfundimtar të gjykatës pas gjykimit të çështjes në themel.

Por pavarësisht vendimit, fatura financiare mbi taksapaguesit shqiptarë tashmë është materializuar. Jo vetëm përmes dhjetëra milionë eurove që u zhdukën, por edhe 21.5 milionë eurot e tjera që kompania i ngarkoi shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *