14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KESH, tender 11 mln euro për shkarkimin e naftës në Vlorë

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur tenderin për depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e naftës që do të përdoret për prodhimin e energjisë nga dy anijet termocentral të instaluara në Vlorë. Tenderi që do të zhvillohet me procedurën e negocimit pa njoftim është shpallur dy ditë më parë dhe ka të përcakuar paraprakisht një fond limit 1.26 miliardë lekë ose rreth 11.3 milionë euro.

Procedura handling parashikon shkarkimin e karburantit nga anijet transportuese. Pas shkarkimit, kompania fituese do të sigurojë depozitimin e karburantit dhe më pas transportimin e tij me tubacion tek dy anijet prodhuese të energjisë që janë ankoruar në Triport. Në këtë tender nuk përfshihet blerja e karburantit, e cila është një procedurë më vete.

Blerja e karburantit

KESH ka shpallur që në fillim të vitit thirrjen për shprehjen e interesit nga kompanitë që janë të interesuar të furnizojnë Korporatën me karburant. Kjo fazë tashmë është ezauruar. Burime nga KESH thanë për Oligarkia.al se në fazën e parë kanë shprehur interes disa kompani, kryesisht të huaja dhe shumë shpejt pritet të kalohet në fazën e dytë, atë të hapjes së garës për blerjen e karburantit.

Në thirrjen për shprehjen e interesit, KESH ka kërkuar të blejë fillimisht 100 mijë tonë karburant, të llojit naftë e rëndë që do të përdoret për prodhimin e energjisë nga dy termocentralet lundruese/

Dy tigrat

Verën e vitit të kaluar, gjatë kulmit të krizës energjetike, qeveria shqiptare autorizoi Korporatën Elektroenergjetike të kontraktonte dy termocentrale lundruese nga kompania amerikane Excelerate Energy. Sipas marrëveshjes, dy anijet me kapacitet të instaluar rreth 110 mega vat u pajtuan për një periudhë dy vjeçare. Në këmbim KESH i paguan kompanisë amerikane 63 mijë dollarë në ditë vetëm si qira, për përfshirë koston e mirëmbajtjes së mjeteve.

Tigri 1 dhe Tigri 3 mbërritën në Triport në shtator të vitit të kaluar. Edhe pse nuk kanë prodhuar asnjë ditë energji, që nga ajo kohë KESH i paguan konsorciumit Excelerate-Renco 63 mijë dollarë qira në ditë.

Kjo ka bërë që marrëveshja të hapë shumë polemika në Shqipëri. Opozita, por edhe ekspertë të pavarur e kanë cilësuar marrëveshjen si abuzive dhe të dëmshme për taksapaguesit, të cilët do të paguajnë rreth 68 milionë dollarë për periudhën dy vjeçare edhe nëse anijet nuk vihen asnjëherë në punë. Kjo pasi, energjia e prodhuar prej tyre del me kosto të lartë, veçanërisht tani që çmimet e energjisë ne treg janë rikthyer në nivele normale.

Por KESH thotë se anijet do të vihen në punë brenda muajit të ardhshëm. Sipas përllogaritjeve të Korporstës, kostoja e prodhimit të energjisë prej tyre llogaritet në 147 euro për mega duke përjashtuar karburantin nga taksa e akcizës. Kjo, kosto sipas korporatës edhe pse në dukje më e lartë se tregu i mundëson asaj të bëjë optimizimin e prodhimit të energjisë, veçanërisht gjatë muajve të verës, ku çmimet në treg rriten ndjeshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *