15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore

Klinikat private nuk iu nënshtruan akreditimit siç premtoi Manastirliu

Vdekja e një 3-vjecari pas ndërhyrjes dentare në një klinikë private të Tiranës dëshmoi mungesën e standardeve dhe garancive nga këto institucione. Normalisht të dhënat për ligshmërinë ose jo të klinikës duhej të ekzistonin të publikuara, kritere bazë këto për procesin e akreditimit. Proces ky i dështuar, sikurse premtimet e hershme se pa akreditim, institucioneve shëndetësore do t’u hiqej licenca. Por sistemi funksionon ‘anapolla’, klinika në fjalë ishte e palicencuar për kryerjen e aktivitetit dhe u pajis me të një muaj pas incidentit me pasojë vdekjen e 3-vjeçarit.

“Pas marrjes së licencës, të gjithë aktivitetet private do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit dhe plotësimit të standardeve bazë. Në rast mosplotësimi të tyre do të revokohet licenca”, – deklaroi ish ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në komisionin parlamentar të shëndetësisë në vitin 2019, teksa prezantoi ndryshimet në ligjin e kujdesit shëndetësor.

Në faqen zyrtare të ASCSG (Agjencia e Sigurimit të Cilësisë dhe Sigurisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror) shpjegohet rëndësia e akreditimit:

“Akreditimi” nënkupton vërtetim direkt të plotësimit të standardeve specifike nga institucionet shëndetësore përmes vizitës dhe vlerësimit të jashtëm në vendin e punës së institucionit  përkatës lidhur me atë se çfarë kryhet në atë institucion: produktet, proceset, sistemet, personelin ose ekipet, përfshirë këtu edhe një demonstrim formal të kompetencës së institucionit për të realizuar detyra të caktuara dhe në këtë kuptim, fjala “akreditoj” lidhet me këtë proces vizite konstatimi apo vlerësimi të jashtëm.

Screenshot i videos ilustruese në faqen e ASCSG ku promovohet akreditimi i institucioneve shëndetësore

Rasti i 3 vjeçarit tregoi dështimin e procesit të akreditimit

Pavarësisht presionit të ministrisë së Shëndetësisë për heqje licence, institucionet shëndetësore private duken të painteresuara për procesin e akreditimit, ndonëse certifikata e akreditimit do të shërbente për të skanuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore që ofrohen në vend.

Vdekja e 3 vjeçarit në tetor 2023 pas një ndërhyrjeje dentare me narkozë në kilnikën “Splendent” të mjekes Ina Xhaxho në Tiranë ngriti pikëpyetje për monitorimin e cilësisë së kujdesit spitalor që ofrohet në spitalet apo klinikat private.

Klinika nuk ishte e pajisur me licencë, një kriter i detyrueshëm për të zhvilluar aktivitet, në momentin që i mituri u paraqit në këtë klinikë në fillim të tetorit 2023. Këtë e konfirmoi për Faktoje Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror, përmes një përgjigjeje zyrtare ku shpjegon se menjëherë pas ngjarjes, ka zhvilluar një inspektim dhe auditim klinik për verifikimin e përmbushjes së standardeve të ofrimit të shërbimit shëndetësor në klinikën “Splendent”. “ISHSH konstatoi se subjekti nuk ishte i pajisur me licencë për ushtrimin e aktivitetit shërbime mjekësore dhe/ose stomatologjike kategoria II. 6 A.3 kabinet dentar”, – thotë ISSH, e cila për këtë e ka gjobitur subjektin në fjalë me 500,000 Lekë.

Në një komunikim përmes whatsapp, vetë mjekja Ina Xhaxho dha ndër të tjera këtë shpjegim për Faktoje:

“….doja t’iu sqaroja se më imtesisht mund të pyesesh nje jurist. Ky i fundit do të të shpjegojë që unë si person juridik mund të ofroja shërbimet e stomatologjisë. Kjo për faktin se jo vetëm se jam e regjistruar pranë Urdhërit të Stomatologëve të Shqipërisë, por dhe në aspektin fiskal kam qenë e regjistruar rregullisht në QKB. Përsa is përket llojit të licensimit, kjo e fundit është një procedurë administrative formale që nuk më pengon ushtrimin e profesionit. Mjafton të lexohen dispozitat e ligjit për licensimin. Gjithsesi dua të të informoj që vendimi është kundërshtuar në rrugë gjyqësore, sepse në vlerësimin tim është i paligjshëm dhe aktualisht statusi i çështjes është në gjykim pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Tiranë”

Ministria e Shëndetësisë nga ana tjetër saktëson se nuk duhet ngatërruar licenca e institucionit me licencën profesionale të mjekut.

“Licenca e lëshuar nga Urdhëri i Stomatologut vlen për ushtrimin e profesionit dhe jo për ushtrimin e veprimtarisë, për të cilën subjekti duhet të aplikojë nëpërmjet QKL, konform parashikimeve të ligjit”, sqaron ministria e Shëndetësisë. Referuar regjistrit Kombëtar të lejeve dhe licencave, rezulton se kjo klinikë aktualisht është mbajtëse e dy licencave, por pajisja me licencë për ushtrimin e veprimtarisë, ka ndodhur thuajse një muaj pas incidentit fatal, pra më 31 tetor. Në janar 2024 klinika dentare është pajisur me një licencë të dytë, pa afat.

Dështimi i procesit të akreditimit në lupën e ekspertëve

Pavarësisht premtimeve dhe afateve, Shqipëria po dështon prej dekadash të akreditojë institucionet shëndetësore, publike dhe private.

“Shteti e zbulon problemin pasi problemi ndodh”, – komenton paaftësinë e institucioneve për të monitoruar situatën, zëvendësdekani i fakultetit të Mjekësisë, Ilir Alimehmeti.

“Parimi është i thjeshtë, licenca të jep të drejtën e ushtrimit të aktivitetit. Pa licencë, je i jashtligjshëm”, sqaron më tej ai.

“Ndryshe nga akreditimi, licencimi është proces i detyrueshëm. Pa licencë, nuk ka shërbim shëndetësor”, – thotë i befasuar nga situata, Erion Dasho.

Ndërsa Klodiana Spahiu, nënkryetare e komisionit të shëndetësisë, thotë se nuk është në dijeni të mangësive konkrete të klinikës ku ndodhi rasti i të miturit që humbi jetën pas ndërhyrjes, por këmbëngul se licencimi është A-ja e një aktiviteti shëndetësor.

“Nuk kam dijeni për pjesën stomatologjike, parimisht çdo qendër stomatologjike padyshim nuk funksionon dot pa licencë”, komenton ajo.

Duke e parë në tërësi dhe jo si një problem vetëm të një subjekti, ekspertët e konsiderojnë dështim faktin që një institucion shëndetësor i ka shpëtuar sistemit të kontrollit.

“Diskutimi është sa është dëmi këtu? Si pacient si mbrohem unë, kur shteti gjurmon çdo gjë që bën një individ, por i ‘rrëshqet’ një klinikë”? – ngre shqetësimin Alimehmeti.

Sipas tij, institucionet përgjegjëse duhet të ndërtojnë një databazë ku licencat të jenë publike. “Pse s‘i bën publike licencat, kush ka dhe kush jo?  Klinika, spitale, laboratorë dhe thua këto janë të licencuar dhe pacienti hyn e kërkon dhe e gjen”, – këmbëngul Alimehmeti.

Vetëm 17 privatë të akredituar ose 203 herë më pak nga totali

Ndryshe nga licencimi, akreditimi është ende një proces vullnetar. Qëllimi i akreditimit është të përcaktojë nivelin e pajtueshmërisë me standardet dhe protokollet, për të përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e pacientëve.

Ndërsa institucionet publike kanë ecur me hapa më të shpejtë, privatët thuajse nuk kanë interes për t’u përfshirë në procesin e akreditimit.

Referuar listës së institucioneve të akredituar të përcjellë nga ASCK, vetëm 17 institucione shëndetësore private (spitale, klinika mjekësore dhe dentare, apo laboratorë) janë përfshirë në procesin e akreditimit. 3 institucioneve të tjera u ka përfunduar akreditimi disa vite më parë.

Ky numër institucionesh të akredituara është krejt i papërfillshëm, po të kemi parasysh se në sistemin privat numërohen 9 spitale, 122 klinika private, 408 laboratore 1416 klinika stomatologjike dhe rreth 1300 farmaci. Në total llogaritet që numri i institucioneve private të paakreditura të jetë mbi 203 herë më i madh sesa ato të akredituara.

Në mes të vitit 2022, Qendra Kombëtare e Akreditimit që merrej prej gati 20 vitesh me akreditimin e spitaleve, u reformua dhe u krijua Agjencia për Sigurimin e Cilësisë së Kujdesit shëndetësor. Në ceremoninë e rastit mori pjesë edhe ish ministrja Ogerta Manastirliu që përsëriti:

“Nuk do të tolerojmë asnjë strukturë publike apo jo publike, t’i shmanget një procesi kaq të rëndësishëm sa procesi i vetëvlerësimit dhe i akreditimit të institucionit. Kjo është një betejë për cilësinë”. Pavarësisht këtyre “kërcënimeve” shifrat tregojnë një indiferencë ndaj këtij procesi. Gjatë vitit 2023 Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer 62 inspektime dhe ri-inspektime për plotësimin e standardeve të cilësisë, sigurisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore.

Debati, akreditimi proces kompleks nuk funksionon pa autonomi

Klodiana Spahiu e shikon akreditimin të lidhur ngushtë me autonominë spitalore.

“Ky proces edhe pse nuk është i detyrueshëm të detyron koha që ta bësh patjetër. Akreditimi është një hap që të çon drejt autonomisë. Për pjesën spitalore po shkon drejt detyrimit, sepse nëse do të përfshihesh në autonominë spitalore nuk mund të përfshihesh pa qenë i akredituar” – sqaron ajo.

Sipas Spahiut, kemi një proces të edukimit në vazhdim të detyrueshëm për personelin, atëherë edhe për institucionet do të shkohet drejt kësaj rruge.

Edhe për Erion Dashon akreditimi duhet të shkojë paralelisht me autonominë, por ai ka kuptim në një terren autonomie të plotë.

“Kur ti shikon një check – list dhe nuk plotëson disa kritere, p.sh nëse ke mungesë stafi dhe nuk ke autonomi, atëherë nuk ke pavarësi”, – këmbëngul Dasho.

Vendimet e shumta në lidhje me procesin e akreditimit kanë sjellë një amulli në rregullimin përfundimar të këtij procesi.

“Procesi i akreditimit është vijim i detyrimit për të përmbushur standardet bazë të cilësisë për akreditim, vetëm nëse një institucion i përmbush standardet bazë, mund të vijojë procesin e akreditimit. Referuar VKM nr. 865, datë 24.12.2019 “Për mënyrën e kryerjes së procesit të akreditimit të institucioneve të kujdesit shëndetësor dhe përcaktimin e tarifave dhe afateve kohore”, – sqaron Ministria e Shëndetesisë.

Vetë ekspertët nuk janë plotësisht të qartë mbi këtë proces madje ata shprehen skeptikë për mënyrën se si u la në mes. Erion Dasho ndër të parët specialistë që u angazhua së bashku me profesor Isuf Kalon në fillim të viteve 2000, për zbatimin e procesit të akreditimt të institucioneve shëndetësore, thotë se çdo masë që nis dhe lihet përgjysmë krijon një mangësi tjetër në sistem.

“Shqipëria vuan nga masat që merren në mënyrë jo strategjike, merren dhe lihen në mes të rrugës”, – këmbëngul Dasho.

Sipas tij akreditimi është një proces që e zgjedh individualisht institucioni shëndetësor për të treguar besueshmëri dhe që ka një cilësi të caktuar. Sipas tij, në vendet e zhvilluara “detyrimi i akreditimt” është zgjidhur nga sigurimet shëndetësore.

“Disa vende e kanë bërë të detyrueshëm indirekt pasi kompanitë e sigurimeve zgjedhin të punojmë vetëm me institucione të akredituara. Nëse je i paakredituar asnjë kompani sigurimesh nuk zgjedh të punojë me ty”, – sqaron ai.

Ndërsa për Ilir Alimehmetin, akreditimi është një proces që vetëm sa i ka shtuar burokracitë.

“Çfarë u mungon sot spitaleve të licencuara, sepse përmbushja e kritereve është bazë e licencimit, që ua shton procesi i akreditimit? Për ta thjeshtuar: nëse një universitet akreditohet çfarë ka më shumë? Ka diploma më shumë njohje, ka mobilitete më shumë?? Pra çfarë ka ekstra procesi i akredimit që institucionet të kenë interes?”, – thotë skeptik ai ndërsa shton se burokracitë nuk i nxisin mjekët, pëkundrazi.

Mirëpo Erion Dasho arguementon domosdoshmërinë e procesit të akreditimit, që nxit sipas tij, përgjegjshmërinë e institucioneve shëndetësore në garantimin e standardeve të shërbimit:

“Në një vend si Shqipëria, procedurat e licencimit kanë pasur mangësi, ndaj akreditimi është një plotësim, sepse e vendos përpara përgjegjësisë institucionin shëndetësor që të rrisë sigurinë dhe cilësinë”.

Ministria e Shëndetsisë ka përcaktuar një set kriteresh bazë që janë kusht për të marrë licencën për të ushtruar aktivitetin shëndetësor, mbi këtë është edhe një set kriteresh optimale që duhet të përmbushen për t’u akredituar. Akreditimi i plotë ka një afat 5 vjeçar dhe do të thotë se institucioni shëndetësor përmbush së paku 85% të stadardeve optimale. Ajo që vihet re në listën e institucioneve të akredituara, që Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor (ASCK) ka për dërguar “Faktoje” është fakti se një pjesë e konsiderueshme e institucioneve kanë marrë akreditim të pjesshëm, pra nga 1-3 vjet që do të thotë se kanë përmbushur 70% të stadardeve optimale.

Përfundim

Procesi i akreditimit të institucioneve shëndetësore, sidomos atyre private ku qytetarët zgjedhin të drejtohen për një shërbim më të specilizuar dhe pa burokraci, ka dështuar pavarësisht angazhimeve të qeverisë. Rasti i klinikës ku u krye ndërhyrja dentare e 3 vjeçarit, është një ilustrim sesi radari i kontrollit shtetëror dështoi të identifikonte veprimtarinë në kushte paligjshmërie të një klinike në mes të Tiranës. Bazuar në verifikimin e kryer dhe konsultimin me ekspertët, angazhimin e ish ministres së Shëndetësisë Manastirliu për akreditimin e institucioneve shëndetësore do ta kategorizojmë të Pambajtur.

/Faktoje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *