15 Prill, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Klonimi i “kartave të kreditit” trondit bankomatet në Shqipëri, SKEMA që përdoret për marrjen e parave!

Policia e Shtetit, ditën e sotme ka shpallur në kërkim tre shtetas rumunë, pasi është konstatuar se kanë vjedhur shuma monetare duke ndërhyrë në sistemet kompjuterike, me anë të prodhimit të kartave të klonuara, kartave te vjedhura dhe duke dëmtuar ATM, me mjete të forta në 2 institucione të ndryshme financiare në Tiranë.

Sipas asaj që njofton policia janë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre rumunët: Florin Oprinoiu 51 vjeç, Marian Mihai, 45 vjeç, Adrian Simoiu, 20 vjeç, të tre banues në Rumani.

Bëhet e ditur se ngjarjet kanë ndodhur në data të ndryshme ku Policia ka arritur të zbardhë, 2 raste mbetur në tentativë dhe 4 vjedhje të kësaj natyre, të kryera nga këta 3 persona.

Sipas policisë, tre të shpallurit në kërkim arrinin që të klononin karta bankomati dhe kanë arritur që të marrin rreth 5 milionë lekë të reja.

Jo vetëm bankat e nivelit të dytë, por viktimë në këtë skemë kanë rënë edhe disa qytetarë të vendit, ku autorët kanë arritur që të klonojnë kartat e tyre dhe më pas kanë bërë tërheqjen e shumave të parave.

Skema që përdorin në klonimin e kartave

Klonimi i kartave kërkon një pajisje të quajtur “Skimmer”.

Ajo është lexues i kartave dhe vendoset nëpër bankomate nga hakerat për të vjedhur të dhënat.

Vendosin pajisjen në vendin ku vendoset karta në bankomate, aty lexohen të dhënat dhe krijohen kartat e klonuara më pas.

Kartat e klonuara mund të përdoren jo vetëm për të tërhequr para “cash”, por edhe për të bërë blerje.

Sot, bankat kanë ngritur platforma “online”, nga ku klientët mund të kryejnë veprime të ndryshme nga kompjuterat apo telefonat e tyre.

E-banking ka thjeshtuar gjërat për qytetarët duke i kursyer kohë pritjeje nëpër sportelet e bankave, për veprime që lidhen me transaksione monetare.

Por, as kjo platformë nuk bën përjashtim nga rreziku që vjen nga piratët e kibernetikës.

Nëse dikush ka arritur që përmes viruseve të hyjë në kompjuterin apo smartfonin tuaj, kjo do të thotë se edhe paratë tuaja në llogarinë bankare janë në rrezik.

Ajo që ju duhet të bëni është t’i paraprini rrezikut para se të jetë shumë vonë. Rreziku tjetër vjen edhe nga valët e internetit Wireless.

Si përdoret “Skimmer Card” për të prodhuar kartat e klonuara

Pajisja “Skimmer Card”, ka përafërsisht formën e bankomatit ku instalohet.

Në pjesën e sipërme të saj vihet një kamera e vogël, që kopjon kodin ose pinin e kartës.

Në vendin ku futet karta vendoset një pajisje tjetër, e cila kopjon numrin e kartës, numrin personal dhe informacione të tjera të saj.

Pasi janë marrë informacionet, hakeri prodhon kartën e klonuar të një klienti, të cilit i janë vjedhur të dhënat.

Për këtë qëllim shërben një pajisje tjetër për prodhimin e kartave të bankave që posedohet nga keqbërësit.

Voxnews.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *