14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KLSH kërkon shkarkimin e kryeadministratorit të Pasurive të Sekuestruara

KLSH-ja ka kërkuar shkarkimin e Adrian Konit, kreu i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara nga krimi i organizuar.

Kjo agjenci administronte deri në fund të dhjetorit të shkuar pasuri me vlerë 140 milionë euro.

Pas një auditi nga KLSH-ja janë vërejtur disa problematika si mosinventarizim sipas kërkesave të ligjit, shkelje të rënda në procedurat për shitjen e tyre, abuzime me kontratat e punonjësve dhe punësime të dyshuara nepotike e korruptive, gjë që ka rritur rrezikun e tjetërsimit të këtyre pronave dhe rikthimit të tyre në zotërim tek personat e dënuar nga drejtësia, shkruan Bë.

Sipas KLSH-së, mungesa e zbatimit të kritereve ligjore, mungesa e krijimit të një baze të dhënash në lidhje me një informacion të përgjithshëm për të gjitha pronat e sekuestruara e të konfiskuara, mungesa e regjistrimit dhe monitorimit të të gjithë objekteve të sekuestruara dhe të konfiskuara të dhëna me qira, janë tregues i qartë që objektivat e krijimit të sistemit nuk janë arritur e për rrjedhojë niveli i riskut në lidhje me mbarëvajtjen e punës për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara është i lartë, shkruan BË.

Raporti thekson gjithashtu se në pesë procedura prokurimi për shitjen e pronave të konfiskuara nga gjykatat është gjetur diferencë e madhe mes fondit limit të përllogaritur dhe vlerës së kontratës fituese.

Sipas KLSH-së, kartelat e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara në fund të dhjetorit të vitit të kaluar nuk përmbajnë ekstraktet bankare dhe kartelat e inventarit të pasurive sipas administratorëve të tyre, nuk gjenden procesverbalet dhe mungon organizimi e dokumentimi i veprimeve kontabël të aktivitetit të administratorëve që janë ngarkuar për këto prona.

Për të gjitha këto shkelje, KLSH rekomandon në raport që kryeadministratori i agjencisë Adrian Koni të shkarkohet nga Shërbimi Civil. 

Balkanweb

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *