21 Shkurt, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KLSH: Koncesionari i dializës po lë pas “tokën e djegur”

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka lëshuar alarmin se koncesionari i hemodializës nuk po kryen investimet e detyrueshme sipas kontratës së koncesionit duke i lënë pajisjet në gjendje të degraduar. Në një raport auditimi, KLSH thotë se sipas kontratës, koncesionari ka detyrimin që në 4 vitet e fundit të riinvestojë 3.3 milionë euro për rinovimin e pajisjeve , me qëllim që në përfundim të koncesionit, shtetit t’i mbeten pajisje funksionale.

“Në zbatim të kontratës së koncesionit, është përcaktuar se ri investimi në pajisje mjekësore në të 5 qendrat e dializës, nga koncensionari do të bëhet 100% duke filluar në 4 vitet e fundit. Ndërkohë, kontrata është në 4 vitet e fundit të zbatimit dhe koncensionari nuk ka filluar të ri investojë në pajisje mjekësore,” zbulon KLSH.

Përballë kësaj situate, KLSH i ka rekomanduar autoriteteve që të ndërhyjnë urgjent. “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, t’i kërkojnë koncensionarit zbatim e kontratës së koncesionit sipas kushteve, për zëvendësimin e pajisjeve mjekësore,” thuhet në raport.

Shqipëria e ka pësuar shpesh nga koncesionet që lënë pas tokën e djegur. Rasti më i fundit ishte ai i kolaudimit të automjeteve, ku kompania zviceriane SGS edhe pse kishte detyrimin të investonte 4 milionë euro në vitet e fundit të kontratës nuk e bëri këtë. Si pasojë paratë për të rinovuar pajisjet dhe ambientet e degraduara u paguan nga qytetarët shqiptarë, ndërsa koncesionari iku me fitimet në xhep.

Investimet
Në aneksin 3 dhe 7 të kontratës së koncensionit të dializës është përcaktuar vlera e fillestare e investimit që do të bëjë koncensionari në të 5 qendrat e dializës, respektivisht 1,1 milionë Euro në infrastrukturë dhe 3,3 milionë euro në pajisje mjekësore.

Sipas kontratës, shuma prej 3.3 milionë eurosh në pajisje duhet të riinvestohet sërish e plotë në 4 vitet e fundit të koncesionit me qëllim rinovimin e pajisjeve dhe lënëien në kushte optimale kur kontrata të përfundojë dhe ato të kalojnë në shtet.

Më konkretisht, kontrata e detyron koncesionarin që në vitin e 7 të koncesionit të investojë 100 për qind të shumës së investuar në vitin e parë për rinovimin e pajisjet. Në vitin e 8-të, 100 për qind të shumës së investuar në vitin e dytë e kështu me radhë deri në vitin e 10 dhe të fundit të koncesionit. Mirëpo edhe pse kontrata ka hyrë tashmë në vitin e 9-të, KLSH thotë se kompania koncesionare Diavita nuk ka kryer asnjë investim për rinovimin e pajisjeve duke rrezikuar t’i lërë shtetit tokën e djegur kur të përfundojë koncesioni.

Koncesioni
Qeveria shqiptare e dha me koncesion shërbimin e dializës në vitin 2016 për një afat 10 vjeçar. Kontrata u fitua nga një kompani e quajtur Diavita. Ortakët themelues të kompanisë ishin shoqëria Evita me 85% të aksioneve dhe Spitali Amerikan (American Hospital), me 15% të aksioneve. Aksioneri kryesor i Evita, ishte Arimo BV, një shoqëri e regjistruar në Hollandë me kontrollues përfundimtar biznesmenin Klodian Allajbeu.

Në shtator 2019, koncesioni u shit. Kompania DiaVita u ble nga shoqëria suedeze Diaverum International AB, pjesë e Diaverum Group, kompani e tretë më e madhe në botë në ofrimin e shërbimeve mjekësore për patologjitë e veshkave. Vlera e transaksionit ishte rreth tre milionë euro.

Por vitin e kaluar koncesioni i dializës ndërroi sërish pronar. Pronësia e kompansë koncesionare të shërbimit të dializës, DiaVita do të ndryshojë sërish.

Grupi Diaverum, që e bleu shoqërinë në vitin 2019, u shit i gjithi tek M42, një kompani e shërbimeve mjekësore në pronësi të fondit publik të investimeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mubadala Investment Company.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *