Aksionerët e Inceneratorit të Tiranës kërkojnë heqjen e sekuestros së vendosur nga SPAK. Dy ditë më parë, avokatët e kompanisë koncesionare kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar heqjen e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” per personin juridik “Integrated Energy BV S.P.V” sh.p.k se bashku me te gjitha pasurite e paluajtshme dhe te luajtshme ne pronesi te tij.
Inceneratori fantazmë i Tiranës u vu në sekuestro me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në 28 korrik të këtij viti sipas kërkes së SPAK pas dyshimeve për korrupsion.
Pas këtij vendimi, kompania është marrë në administrim nga shteti përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara.
Në tetor aksionerët e kompanisë Integrated Energy tentuan heqjen e sekuestros dhe rimarrjen e kontrollit të biznesit së majmë në Gjykatën e Apelit. Por dhe kjo e fundit vendosi të lërë në fuqi sekuestron dhe administrimin shtetëror të kompanisë duke e konsideruar vendimin e shkallës së parë si të drejtë dhe të mbështetur në prova.
Tashmë aksionerët e kompanisjë kanë autorizuar avokatët e tyre që të kërkojnë heqjen e sekuestros dhe rimarrjen e kontrollit të biznesin në Gjjykatën e Lartë.
Korrupsion pa asnjë të korruptuar
Prokuroria e Posaçme thotë se pas kompanisë që po ndërton inceneratorin e Tiranës, qëndrojnë “De facto”, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Dy biznesmenët, tashmë të dënuar si të përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash në kontratat koncensionare edhe për dy inceneratorët e tjerë, atë të Fierit dhe Elbasanit, ndodhen në arrati.
Me anë të një njoftimi zyrtar, SPAK bëri të ditur se nga hetimet e deritanishme për dosjen e inceneratorit të Tiranës, treguan se dy biznesmenë kanë përfituar në saj të faturave të falsifikuara të lëshuara nga kompania tjetër “Integrated Energy Services” 409 milionë Lekë.
Hetimet për këtë dosje vijojnë, megjithëse SPAK edhe pse 3 vite nga nisja e hetimeve ende nuk ka dalë me një konkluzion nëse ka pasur shkelje të detyrës nga zyrtarë e ish zyrtarë për këtë konçension.