3 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Konkurrenca vë nën hetim Aeroportin e Rinasit për taksitë

Autoriteti i Konkurrencës vendosi të hapë një hetim paraprak ndaj kompanisë që ka me koncesion Aeroportin e Rinasit, pasi dyshon se ajo ka shkelur ligjin e konkurrencës në ofrimin e shërbimit të taksive.

“Referuar monitorimit në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nga ana e Komisionit të Konkurrencës u vlerësua se, mund të jemi para shkeljes së nenit 9 të ligjit të Konkurrencës” deklaroi AK në një njoftim zyrtar.

Neni 9 i ligjit të konkurrencës thotë se refuzimi i ofrimit të shërbimit nga një ndërmarrje me pozitë dominuese përbën abuzim dhe shkelje të ligjit.

“Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 984, datë 11.05.2023 vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës,” deklaroi Autoriteti.

Sipas indicieve paraprake, Autoriteti dyshon se kompania koncesionare e Rinasit e kufizon konkurrencën e shërbimit të taksive në aeroport duke mos lejuar asnjë operator tjetër përveç kompanisë Auto Holiday Albania. Vendimi për të hapur hetimin paraprak është marrë pas ankesave të mbërritura pranë Autoritetit të Konkurrencës nga disa kompani që ofrojnë shërbimin taksi.

Shoqëria Tirana International Airport, që ka me koncesion Aeroportin e Rinasit zotërohet nga Kastrati Aviation Holding, pjesë e grupit Kastrati. Në dhjetor të vitit 2020, ky grup e bleu koncesionin e Aeroportit nga shoqëria Real Fortress Private Limited e regjistruar në Singapor.

Pas blerjes nga Kastrati, qeveria e zgjati me 13 vjet të tjera koncesionin e aeroportit pa garë duke u justifikuar se kompania e re do të kryejë 100 milionë euro investime për modernizimin e aeroportit dhe do të ulë tarifat për qytetarët.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *