Projektimi, ndërtimi dhe operimi i impiantit diellor lundrues në Vaun e Dejës do të kushtojë 13.86 mln euro. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka njoftuar nënshkrimin e kontratës mes “SENA Solar Energy of Albania”, që zotërohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe sipërmarrjes së përbashkët kinezo – spanjolle Gamma – Sungrow.
Sipas detajeve të bëra të ditura më herët, kontrata përfshin projektin e detajuar, furnizimin, instalimin, testimin, si dhe periudhën e operimit dhe mirëmbajtjes për 2 vjet.
Sipas KESH kapaciteti i këtij impianti do të jetë 12.97 MWp dhe sipas përllogaritjeve, prodhimi i parashikuar në vitin e parë do të arrijë në 18,808 mWh, me një prodhim mesatar prej 17,822 mWh/vit gjatë gjithë jetës së tij.
Po ashtu, sipas KESH edhe pse impiantet fotovoltaikë lundrues konsiderohen ende një teknologji e re, sistemi i ankorimit të impiantit do të sigurojë operim normal edhe me luhatje deri në 15 metra të nivelit të ujit dhe rezistencë ndaj erës maksimale për 50 vitet e ardhshme.
Ndërtimi i impiantit diellor lundrues është një nga projektet e KESH, në kuadër të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Aktualisht kompania publike e prodhimit të energjisë zotëron vetëm një impiant diellor prej 5.14 MWp të pozicionuar në digën e Qyrsaqit, në Vaun e Dejës, ndërsa pjesja tjetër e aseteve gjeneruese përfshin 3 HEC-et e Kaskadës së Drinit.