14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Kontratë 10.6 mln euro pa garë/ Tenderi i ushqimit për QSUT përfundon në farsë me të zakonshmen KPL

Tenderi 10.6 milionë euro për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për pacientët në spitalin Nënë Tereza ka përfunduar në një lojë të mbyllur me një lojtar. Në procedurën e zhvilluar nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara është paraqitur vetëm një ofertë, ajo e kompanisë KPL shpk, e cila ishte sa 98 për qind e fondit limit.

Sipas dokumentave të publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimeve publike, fondi limit i tenderit për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit në QSUT ishte përcaktuar 1 miliardë e 122 milionë lekë. Kompania KPL ka dhënë ofertën e vetme në garë me 1 miliardë e 100 milionë lekë ose 22 milionë lekë më pak se fondi limit.

Rrjedhimisht kompania është shpallur fituese nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve për kontratën 10.6 milionë euro për shërbimin 4 vjeçar të ushqimit në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Një kontratë kaq e madhe, e cila përfundon në një process të mbyllur pa garë sigurisht që përbën një flamur të kuq në proçedurën e prokurimit.

Fondi u dyfishua

Kjo ishte tentativa e dytë për të kontraktuar shërbimin e ushqimit në QSUT. Tentativa e parë u zhvillua në mars të këtij viti, kur Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara shpalli tenderin për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Qendrën Spitale Universitare, Nënë Tereza me fond limit gati dy herë më të ulët ose 696 milionë lekë.

Por procedura dështoi, pasi sipas ASHPP në garë nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme. Pas dështimit të procedurës së parë, ASHPP e rishpalli tenderi, por kërtë herë me fond 1.12 miliardë lekë.

Dokumentat e tenderin të ri sugjerojnë se QSUT ka rritur sasinë e racioneve të kërkuara për të gjitha llojet e dietave, në disa raste deri në trefish. Por dyfishimi i fondit dhe rritja e sasive të kërkuara brenda një kohe kaq të shkurtër ngre jo pak pikëpyetje mbi këtë tender.

Lufta e supës

Tregu i furnizimit të institucioneve publike me ushqime dominohet nga një grusht kompanish të lidhura drejtëpërdrejtë me njerëz të pushtetshëm. Të dhënat zyrtare tregojnë se shteti shqiptar shpenzon mesatarisht 20 milionë euro në vit për furnizimin e spitaleve, burgjeve dhe forcave të armatosura. 

Nga monitorimi shumëvjeçar i kontratave rezulton se pothuajse çdo vit janë të njëjtat kompani të cilat fitojnë këto prokurime në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara.

Torta e tregut të kateringut dhe blerjes së ushqimeve prej 14.4 milion dollarësh në vitin 2019 u nda mes firmave “Sori -Al”, “Dion-Al”, “KPL”, “Nika” shpk dhe “Dajti Park 2007” (ish-“Vllaznia”).

Sori-Al dhe KPL rrjedhin nga e njëjta origjinë. Më parë ato kanë qenë të dyja nën pronësinë e kryetarit të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, ndërsa tani zotërohen respektivisht, e para nga ish bashkëshortja e tij Alma Tafani, ndërsa kompania e dytë nga Ramazan Troka. Megjithatë publikisht të dy kompanitë mohojnë lidhjen e pronarëve dhe thonë se kompanitë kanë ortakë të ndryshëm.

Dajti Park, që më parë ka mbajtur emrin Vllaznia zotërohet nga familjarët e deputetit socialist Xhemal Qefalia. Këto tre kompani ndajnë çdo vit buxhetin e majmë të ushqimeve për spitalet, burgjet dhe institucionet e tjera publike.

Dokumentet zyrtare tregojnë se pjesën më të madhe të fondeve, afro gjysmën e vlerës, e kapi në vitin 2019 kompania “KPL” për kontratën e fituar për shërbimin e furnizimit me ushqime të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”. “KPL” në të shkuarën rezulton në pronësi të Alma Tafanit, administratore dhe pronare e një tjetër kompanie të rëndësishme në këtë treg, Sori-Al. Përmes disa kontratave qiraje por edhe adresës së selisë qendrorë që “KPL” ka përdorur disa kohë, duket se lidhjet me firmën Sori-Al kanë vijuar edhe pas shitjes së aksioneve.

Në vitin 2020, “KPL” zë 5.5% të këtij tregu me dy kontrata të fituara me vlerë 1.2 milion dollarë. Sori-Al nga ana tjetër ka fituar 7.5 milion dollarë kontrata në vitet 2019 dhe 2020, e ndjekur nga “Shpresa” shpk (sot Dion Al) me 6.3 milion dollarë dhe “Dajti Park 2007” me 2.8 milion dollarë kontrata.

E njëjta panoramë është ruajtur edhe përgjatë viteve 2021 dhe 2022. Përqëndrimi kaq i madh i tregut ka rritur dyshimet për koluzion dhe marrëveshje mes kompanive, pasi në të kaluarën ka patur shumë raste me oferta zero apo sjellje të dyshimta garuese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *