27 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

KPP rrëzon sërish tenderin e famshëm të pyllit orbital

Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar sërish tenderin e famshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit për blerjen e pemëve dhe shkurreve dekorative në funksion të Pyllit Orbital të Tiranës.

Përmes një vendimi zyrtar, KPP ka pranuar ankesën e kompanisë Albgarden duke urdhëruar DPPGJ-në që të ndryshojë kriteret e tenderit me vlerë 550 mijë euro dhe brenda 5 ditëve të vërë në dijeni KPP-në për ndryshimin e kritereve.

Kjo është hera e dytë, që Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit tenton të blejë pemë dekorative për pyllin orbital të Tiranës. Për herë të parë, tenderi u shpall në fund të vitit të kaluar, me fond limit 300 milionë lekë ose gati 3 milionë euro.

Por ai u ankimua tre herë rresht nga kompania Albgarden dhe në të tre rastet, Komisioni i Prokurimit Publik i dha të drejtë asaj. Pas kthimit 3 herë të tenderit, KPP vendosi ta bllokojë tenderin për shkak të kritereve në kundërshtim me ligjin të vendosura nga autoriteti kontraktor.

Në vendimin përfundimtar, KPP u shpreh se përmes kritereve DPPGJ kishte kufizuar konkurrencën dhe më konkretisht në lidhjen që bëhet mes blerjes së pemëve dhe bimëve të tjera dhe mbjelljes së tyre.

Këto kushte kërkonin që një kompani të jetë njëkohësisht dhe furnitore, por po ashtu të kishte të angazhuar edhe 150 punonjës për hapjen e gropave, shkuljen e pllakave dhe mbjelljen e të paktën 1058 pemëve, çka bën që pjesë e procedurës të jenë shumë pak subjekte.

Pas bllokimit nga KPP në fund të vitit të kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Pastrim Gjelbërimit e ka rihapur sërish tenderin në 3 korrik të këtij viti, edhe pse këtë herë me një fond 6 herë më të ulët se vitin e kaluar. Por edhe këtë radhë ka nisur sërish beteja mes saj dhe kompanisë Albgarden. Një luftë nga e cila deri më tani ka dalë fituese kompania.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *