14 Tetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kriza e burimeve njerëzore bën lëmsh shifrat e shtetit

Instituti i Statistikës është duke shtyrë përtej afateve pjesën më të madhe të publikimeve për statistikat më të rëndësishme të shtetit. Zyrtarisht INSTAT thotë se arsyeja e vonesave në raportimin e treguesve është angazhimi i personelit për cencusin e popullsisë. Por problemi me statistikat e shtetit duket më i thellë se kaq dhe pasqyron krizën e burimeve njerëzore në sektorin publik.

Sektori i llogarive kombëtare ka qenë një nga më të prekurit nga largimet e stafit Ky është sektori, i cili publikon treguesin më të rëndësishëm ekonomik, atë të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dhe largimet e ekspertëve, nuk kanë shkaktuar vetëm vonesa. Tani dyshimet kanë rënë edhe mbi cilësinë e statistikave.

Kur INSTAT publikoi shifrën nominale të GDP për vitin e kaluar shumë nga ekspertët e ekonomisë mbeten të habitur. Shifra e GDP ishte fryrë aq shumë saqë çonte ne paradoks të gjithë treguesit e tjerë të varur mbi të. Njëri prej tyre ishte ai i të ardhurave që qeveria mbledh në buxhet. Për shkak të rritjes së GDP-së nominale, tani treguesi i të ardhurave ndaj GDP ka shkuar 10 vjet mbrapsht. Shumë ekspertë tashmë hedhin dyshime mbi saktësinë e këtyre treguesve.

E megjithatë problemi cilësisë së statistikave nuk kufizohet vetëm tek INSTAT. Në pesë muajt e para të vitit, Ministria e Financave raportoi se investimet me financim të huaj ishin 3 miliardë lekë nga 17 miliardë që është plani i periudhës duke regjistruar nje realizim prej vetëm 18 për qind.

Mes ministrive që realizojnë projektet me financim të huaj tashmë ka nisur një debat mbi vërtetësinë e këtyre statistikave. Disa ministri pretendojnë se kanë realizim shumë më të lartë, që nuk pasqyrohet në shifrat e tabelës fiskale. Ato ankohet se faturat e realizuara nuk publikohen në kohë, për shkak se ministria e financave nuk ka staf.

Kriza e burimeve njerëzore tashmë është evidente edhe në sektorin administratën e shtetit. Në shumë pozicione janë punësuar njerëz të cilët nuk kanë aftësitë e duhura. Qeveria nisi një reformë për rritjen e ndjeshme të pagave në shtet, mes të tjerash edhe për të ndalur shthurjen e administratës.

Por ndërsa rezultatet e reformës mbeten për t’u parë, tani një pjesë e statistikave të shtetit janë lëmsh. Produkt patronazhistësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *