6 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kronologjia e një krimi shtetëror dhe tualeti i Edi Ramës

Në maj të këtij viti, 50 banorë të Borizanës dolën në protestë kundër guroreve që po u shkatërronin banesat. Protesta ra në veshin e shurdhër të qeverisë. Madje jo vetëm kaq, por banorët u kërcënuan nga policia e shtetit me arrestime. Shteti, i cili duhet të mbronte qytetarët, u bë palë me ata që po u shkatërronin pronën.

Në fillim të qershorit, banorët dolën sërish në protestë. Disa prej tyre u shprehën para kamerave se ishin ankuar mbi 40 herë në polici. Por në vend që të gjenin zgjidhje për hallin e tyre kishin marrë kërcënime nga drejtuesit e policisë që të mos protestonin më përndryshe do të arrestoheshin. Protesta dhe akuzat e banorëve u bënë publike nga disa media. Por sërish shteti nuk bëri asgjë.

Në 22 qershor, Komiteti Shqiptar i Helsinkit kreu një mision verifikimi në terren, ku konstatoi se situata ishte alarmante. Gurorja punonte pa leje mjedisore dhe distanca e afërt e saj me fshatin, përvecc dëmeve të mëdha në banesa rrezikonte shëndetin e banorëve. KSHH i bëri thirrje zyrtare autoriteteve dhe qeverisë që të ndërhynin sa më parë. Por edhe thirrja e KSHH ra në veshin e shurdhër të qeverisë.

Historia vazhdoi deri në ngjarjen e tre ditëve më parë, ku familjarët e deputetit socialist Rrahman Rraja dhunuan në mënyrë barbare dy vëllezër në Fushë Krujë. U desh shpërthimi i videos në rrjetet sociale që shteti të vihej në lëvizje. Fillimisht policia e shtetit tentoi ta paraqiste ngjarjen si një sherr banal duke bërë një deklaratë ku më shumë kujdesej të theksonte se gurorja e fisit Rraja ishte me leje se sa të zbardhte ngjarjes. Por pamjet e dhunimit ishin flagrante, ashtu si faktet se shteti gjatë gjithë kësaj kohe kishte qenë palë më dhunuesit.

Rritja e presionit publik detyroi fillimisht deputetin socialist Rraja të jepte dorëheqjen nga mandati duke kërkuar ndjesë publike dhe duke u kujdesur që të theksojë se në të gjithë këtë histori, Edi Rama nuk kishte asnjë faj. Më pas, ministri i brendshëm Bledi Çuçi u detyrua të njoftonte shkrirjen e degës së policisë në Fushë Krujë, e cila nuk po arrestonte vëllezërit dhe djalin e deputetit të Fushë Krujës. Shkrirja e komisariatit ishte një akt pranimi se Rrahjat mbroheshin nga policia e shtetit. Por pak orë më vonë, Bledi Çuçi do të mësonte edhe shkarkimin e tij. Edi Rama njoftoi nga twitteri se kishte vendosur të shkarkonte ministrin e brendshëm për ta zëvendësuar atë me Taulant Ballën.

Shkarkimi demonstrativ i Çuçit është akti përmes të cilit kryeministri kërkon të krijojë në publik narrativën se degradimi i situatës në Krujë nuk është krim shtetëror, por pergjegjësi e individëve të caktuar, përfshirë ministrin e brendshëm të shkarkuar. Një përpjekje e dëshpëruar për të bindur qytetarët se pamjet e shkopinjve dhe pistoletave në Fushë Krujë nuk janë fytyra e pushtetit të qeverisë, por faj personal i atyre që hanë dardha pas kurrizit të kryeministrit. E megjithatë, vetëm renditja e thjeshtë kronologjike e fakteve tregon se përfshirja e shtetit në këtë histori është aq flagrante sa që nuk ka më asnjë tualet apo operacion estetik që mund ta mbulojë.

Ajo në Fushë Krujë është fytyra e vërtetë e pushtetit. Dhe përgjegjësi për këtë është vetëm një njeri. Ai që shkruan letrat e dorëheqjeve, sa herë që të emeruarit e tij filmohen me vegla apo shkopinj bejzbolli nëpër duar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *